Cristiano Ronaldo mund të jetë shumë pranë titullit kampion me Al Nassr në Arabinë Saudite. Të mërkurën Al Nassr siguroi tri pikë me shumë peshë në garën për trofeun, duke fituar 2-0 kundër Al Ahli në sfidën me një nga ndjekësit direkt.
Përballja ishte shumë e luftuar dhe me raste për të dyja skuadrat, por rezultati u zhbllokua vetëm në minutën e 76-të. Joao Felix krosoi nga këndi dhe Cristiano Ronaldo kërceu më shumë se të gjithë duke e devijuar topin me kokë, për ta dërguar në rrjetë dhe ndezur festën e tifozëve vendas.
Në minutën e fundit duhej një 'predhë' e Kingsley Coman që Al Nassr të 'vuloste' tri pikët kundër një rivali direkt në garën për trofeun. Me 79 pikë dhe gjashtë ndeshje nga fundi i sezonit, Al Nassr mban kreun, ndjekur nga Al Hilal që ka tetë pikë dhe një ndeshje më pak.
Ndërkohë, goli i Cristiano Ronaldos ishte i 970-ti për të në karrierë. Portugezi ka si synim shifrën e 1000 golave në karrierë.
Komente









