Ministri i Turizmit dhe Kulturës Blendi Gonxhja gjatë një vizite në Pazarin e Krujës ka deklaruar se mbështetja njerëzve që merren me punë artizanale mbetet një prioritet.
Përmes një postimi në Facebook Gonxhja thekson se punimet artizanale promovojnë denjësisht vendin tonë si një destinacion me rrënjë të forta kulturore.
Nga ana tjetër Ministri nënvizon se artizanët dhe sipërmarrësit vendas me punën e tyre ruajnë identitetin kombëtar dhe promovojnë produktet 'Made in Albania'.
“Në Pazarin e Krujës, me artizanët dhe sipërmarrësit vendas, të cilët përmes punës së tyre ruajnë identitetin kombëtar dhe promovojnë produktet Made in Albania si vlera autentike për vizitorët vendas dhe të huaj. Mbështetja e artizanatit, e ekonomisë lokale dhe e turizmit kulturor mbetet një prioritet i rëndësishëm, për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm, punësim dhe promovim dinjitoz të Shqipërisë si destinacion me rrënjë të forta kulturore dhe potencial të madh turistik”, shkruan Gonxhja në rrjetet sociale.
Komente









