Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, është takuar dje me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.

Përmes rrjeteve sociale, Gonzato bën me dije se në fokus të takimit ishte puna e komisionit në javët në vijim, ndërsa thekson rëndësinë e reformës zgjedhore për të rritur transparencën në financimin e partive politike, për të garantuar pavarësinë e administratës zgjedhore dhe për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve shtetërore.

Amabasadori i BE në vendin tonë thotë se reforma zgjedhore duhet të përfshijë dhe zbatojë rekomandimet e OSBE/ODIHR.

“Proceset zgjedhore të besueshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare, mbeten një prioritet kyç në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Dje u takova me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, për të diskutuar punën e komisionit në javët në vijim.
Nënvizova rëndësinë e reformës zgjedhore për të rritur transparencën në financimin e partive politike, për të garantuar pavarësinë e administratës zgjedhore dhe për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve shtetërore. Një reformë e gjerë e rregullave zgjedhore, që përfshin edhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, është thelbësore për të garantuar besimin e publikut dhe për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve të ardhshme.” Sivio Gonzato, Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.