Gra, para
dhe gjyqtarë…

Gra, para<br />dhe gjyqtarë…
Janë tri gra, të cilat janë bërë shumë të rëndësishme në historinë e dy gjyqtarëve të akuzuar dhe nën hetim për korrupsion apo pasuri të pashpjegueshme. E para është gruaja milionere e një gjyqtari të lartë, e dyta romja nga Pogradeci që donte të mbyllte një gjyq me 45 mijë lekë dhe e treta bashkëshortja e Dhimitër Pojanakut, që një herë në disa ditë mbledh një çantë me ushqime dhe ilaçe tensioni dhe ja çon në burgun e Drenovës burrit të saj, tashmë vetëm poet.

Por janë edhe shumë të tjera që jetojnë, shpenzojnë dhe mburren me milionat e eurove që burrat e tyre, gjyqtarë apo prokurorë, fitojnë, edhe pse marrin paga qesharake. Në mes të tyre qëndrojnë gjithmonë paratë, shumë para, të cilat duket se, sa më shumë që të jenë, aq më faqebardhë të nxjerrin. Por të gjitha kanë një të përbashkët: ato, ose vuajnë, ose gëzohen me paratë, që burrat e tyre gjyqtarë fitojnë si paga apo si ryshfete.
Të tri zonjat po përmenden këto ditë vetëm për shkak të burrave, por ato s’janë të vetmet.

Ka shumë më tepër që këto ditë kanë nisur ta ndjenë pak frikën, sepse gratë janë më intuitive se burrat dhe po kujdesen që të gjitha letrat të jenë të kopsitura, sepse nuk i dihet. Mbase një ditë një i “çmendur” vendos të çmontojë murrin e korrupsionit, që ka përfshirë drejtësinë shqiptare. Nuk ka njeri të përgjegjshëm në këtë vend, që nuk është i bindur se Drejtësia është kalbur dhe në plehun e krijuar bëhen shumë para. Aq shumë, sa këta njerëz nuk kanë më as turp dhe as frikë. Ekspozojnë në mënyrën më arrogante luksin e krijuar, aq sa është shumë e lehtë për një kryeprokuror, prokuror apo edhe drejtues Ekzekutivi që, me fare pak mundim, të kapë, bllokojë dhe pastrojë njëherë e mirë gjithë plehun. Paratë e fituara nën dorë janë aq të shumta sa, me keqardhje, duhet thënë që, nëse ka ndonjë gjyqtar apo prokuror të pandotur, ai nuk duket. Zëri i tyre është i papërfillshëm para arrogancës së parave të korrupsionit.

Eshtë bërë më se e zakonshme që konferencat e Gjyqësorit të kthehen në një sfilatë mode, paradë çantash që ende nuk kanë dalë në tregun e modes, sepse janë tepër ekskluzive. Por nuk ka asnjë hallkë në këtë shtet që të kapë dhe djegë përfundimisht edhe ata avokatë që, për të shpëtuar klientët e tyre-vrasës, manipulojnë provat e krimit, sajojnë vetmbrojtje, kur ngjarja është një ekzekutim i pastër. Apo gjyqtarë që, si rastësisht, për procedurë, lëshojnë atë që nuk lëshohet: trafikantë, shqiptarë e të huaj, vrasës dhe kriminelë që s’e kanë për gjë që, nga miliona euro të fituara, të shpenzojnë fare pak për sigurinë e tyre.
A do mund të kapej ndonjë gjyqtar apeli apo prokuror i madh siç u kap Pojanaku? Në asnjë mënyrë, sepse zinxhiri i ndereve është aq i gjatë dhe i bën të paprekshëm lubitë e korrupsionit. Rrjeta e dobët kap vetëm Ponajakun, sepse ai është thjesht një gjyqtar “dyleksh” në lidhje me korrupsionin.

Po a është Gjoni gjyqtari i vetëm me kaq shumë miliona, apo që ka bashkëshorten kaq shumë të pasur? Sigurisht që jo. Nëse ai ka disa dokumenta dhe një alibi me emra kompanish, që do ta nxjerrë pa u ndotur nga kjo histori, ka të tjerë gjyqtarë e prokurorë, që aktualisht po tallen mes tyre me fatin e keq (të përkohshëm) të kolegut. Mjafton t’i hidhet një sy sistemit TIMS për të mësuar se sa herë gjyqtarët tanë ikin për pushime për Krishtlindje, Bajram, Pashkë, festën e Gruas, ditën e Verës, ditën e Flamurit apo edhe Shën Valentin me dashnoret.

Mjafton një kontroll agjencive turistike për të mësuar se gjyqtarë, që deklarojnë vetëm pagën e tyre dhe të gruas, kalojnë pushime 10 mijë euroshe, drejtojnë makina luksoze dhe janë pronarë të vilave të rralla. Por në këtë vend nuk ka as persona që mund ta bëjnë këtë dhe as vullnet për ta bërë, sepse, edhe ata që deklarohen dhe gati-gati e shajnë Gjin Gjonin për paratë që e akuzon ILDKPI, nuk e bëjnë se janë skandalizuar nga fakti; jo aspak! Ata më shumë se shqetësim, ndjejnë xhelozi se përse, në fund të fundit, ato para nuk i kanë ata! T’i kenë, pa edhe një vit burg e kishin bërë me qejf, sepse në fund të fundit në këtë vend nuk kanë më vlerë morali, rregullat dhe ligjet, por vetëm paraja dhe pushteti që lind prej tyre…

Shkrimi u publikua sot 29 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)    


 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi për Dibrën, garë e ngushtë mes PS dhe PD, bojkotohen partitë e vjetra të tjera! Të rejat shohin ngjitje

Sondazhi për Dibrën, garë e ngushtë mes PS dhe PD, bojkotohen partitë e vjetra të tjera! Të rejat shohin ngjitje