Një person që po udhëtonte si pasagjer në një taksi është grabitur me dhunë në zonën e Ishull Lezhës, në Lezhë.

Sipas kallëzimit të bërë pranë Policisë, dy persona i kanë zënë pritë automjetit ku ndodhej si pasagjer dhe nën kërcënimin dhe përdorimin e dhunës fizike, i kanë marrë sendet personale, një shumë parash si dhe një orë të markës “Rolex”.

Pas ngjarjes, i dëmtuari ka bërë denoncim në organet ligjzbatuese, të cilat kanë reaguar menjëherë duke nisur veprimet e para hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e lëvizjeve të tyre para dhe pas grabitjes.

Ndërkohë, janë marrë në pyetje edhe persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Policia vijon punën intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa hetimet janë përqendruar në zbardhjen e plotë të dinamikës së grabitjes dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje.