TIRANE-Ekstradohet nga Holanda Fatmir Pjetri 33 vjeç, lindur në Pukë i dënuar me 30 vjet burg si pjesëtar i grupit të 'Babagjyshëve' për grabitjen e disa argjendarive. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal të vitit 2018, e ka dënuar me 30 vjet burg për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal 'Babagjyshët' që gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete. Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku të maskuar si babagjyshë pjesëtarët e grupit kriminal realizuan grabitjet. Fatmir Pjetri pas arrestimit në Holandë në 24 nëntor të 2017 sot u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin.
Historia e grupit të 'Babagjyshëve'
Fatmir (Fatjon) Pjetri nga hetimet rezultoi se ka qenë anëtar i bandës së ‘babagjyshëve’ që drejtohej nga Ilir Kupa, i dënuar. Grupi i përbërë nga 11 persona janë dënuar për vjedhjen e disa argjendarive në Tiranë, qytete të tjera brenda vendit, por edhe jashtë tij. Banda përbëhej nga; Ilir Kupa, Fatmir Pjetri, Agustin Sula, Julian Qerushi, Dritan Kola, Saimir Kala, Mark Shpendi, Hajdar Sefa, Lin Kala, Edmond Selala, Angjelin Ndreka.
Mes grabitjeve të famshme të grupit është ajo e vitit 2014 në një qendër tregtare në Tiranë ku u futën dhe morën një sasi të konsiderueshme floriri. Hetimet zbardhën mekanizmin e funksionimit të grupit ku fillimisht vidheshin makinat që do të përdoreshin në krim, ato më pas digjeshin duke u ndërruar në ikje për të humbur gjurmët dhe 11 anëtarët kishin detyra të ndara mes tyre nga pikasja e biznesit që do grabitej e deri tek vendosja e orarit apo veshja që do përdorej.
Vjedhjet e grupit të ‘babagjyshëve’
1. Më dt. 11.01.2013, rreth orës 6 pasdite, është kryer vjedhja e mbetur në tentative me armë, në bashkëpunim, i një argjendarie pranë stacionit të trenit, Durrës, pronë e shtetasit A.F. Në këtë vjedhje të mbetur në tentativë kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri, Agustin Sula dhe Saimir Kala.
2. Më datë 28.09.2013, rreth orës 19.10 është vjedhur me armë në bashkëpunim, dyqanin argjendari, në pronësi të shtetasit A.B. ndodhur në Lagjen “Llukan Prifti”, Kuçovë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Agustin Sula, Fatmir Pjetrin dhe Hajdar Sefa, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme floriri.
3. Më datë 25.10.2013 rreth orës 13.20 është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar dhe të armatosur i firmën agroushqimore “A..T..A..”, ndodhur ne Vorë, ku kanë marrë shumën prej 1000 dollarë arkëtares së kësaj firme. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Agustin Sula dhe Julian Qerushi.
4. Më datën 05.11.2013, rreth orës 14.30, është vjedhur me armë, në bashkëpunim, argjendaria në pronësi të shtetasit S. R. dhe gjatë vjedhjes është plagosur pronari i saj, ndodhur në qendër të qytetit Laç. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Hajdar Sefa, Agustin Sula dhe Fatmir Pjetri, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme floriri.
5. Më datë 25.11.2013, rreth orës 13.45, është vjedhur nga tre persona të armatosur “Argjendari Gj….”, në vendin e quajtur tek tregu i qytetit Fushë-Krujë, në pronësi të shtetases P. B., ku janë vjedhur një sasi bizhuterish, si edhe një sasi rreth 500.000 (peseqind mije) lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Fatmir Pjetri dhe Agustin Sula.
6. Më datë 24.12.2013, rreth orës 17.30, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim Argjendaria “G….”, ndodhur në qendrën tregtare, në fshatin Lundër, Tiranë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Agustin Sula, Fatmir Pjetri dhe Julian Qerushi, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme floriri. Autorët e kanë realizar këtë vjedhje, të veshur si babagjyshë të festës së Vitit të Ri.
7. Më 28 shkurt 2014, në orët e drekës, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar me uniforma policie dhe të armatosur, i pikës së shitjeve të makinave Mercedes Benz, ndodhur ne autostradën Tiranë Durrës, pranë mbikalimit të Kasharit, ku kanë marrë shumën prej 100 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Agustin Sula dhe Edmond Selala.
8. Më datën 14.04.2014, rreth orës 10;36, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga katër persona të maskuar me uniforma policie dhe të armatosur, i kompleksit të shërbimeve A.M.L, ndodhur ne Rrugën “Konferenca e Pezës”, Tiranë ku kanë marrë shumën prej 1 000 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri, Dritan Kola, Agustin Sula dhe Mark Shpendi.
9. Më dt. 22.04.2014, rreth orës 09:30, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar dhe të armatosur që kanë lëvizur me motor, i argjendarisë “AÇ”, ndodhur në bulevardin “Bajram Curri”, përballë Gjykatës së rethit Gjyqësor Tiranë, në pronësi të shtetasit A. Ç., ku kanë marrë shumën prej rreth 600 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri dhe Agustin Sula.
10. Më dt. 03.06.2014, në orët e drekës, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar dhe të armatosur, i pikës së skrapit në rrugën dytësore Vorë-Marikaj, në pronësi të shtetasit R. Z., ku kanë marrë shumën prej 150 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri dhe Agustin Sula.
11. Në datë 26.11.2014, rreth orës 17:30, është kryer vjedhja e banesës së shtetasit K. G., ndodhur në fshatin Kallmet, Lezhë, ku kanë marrë shumat prej 1 000 000 lekë dhe 5000 USD. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit nën hetim Agustin Sula, Angjelin Ndreka dhe Lin Kala. Gjatë vjedhjes, i dëmtuari ka qënë në banesën e tij së bashku me nënën dhe bashkëshorten.
Krahas vjedhjeve të mësipërme, të kryera në Shqipëri, grupi ka realizuar edhe dy vjedhje në Maqedoni:
12. Në datë 30.04.2014 është vjedhur argjendaria në pronësi të shtetasit R.H, ndodhur në Strugë, ku është marrë një sasi prej 5.5 kg flori. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Agustin Sula, Fatmir Pjetri, Miljan Elezi ose i quajtur Artur Tafani, Mark Shpendi dhe Dritan Kola. Këtë vjedhje, autorët e kanë realizuar të veshur si femra. Gjatë vjedhjes ka pasur përplasje me armë me personat e argjendarisë dhe policisë maqedonase.
13. Në datë 29.07.2014 është vjedhur një argjendari, ndodhur në Dibër të Madhe, ku gjatë vjedhjes, autorët kanë shkëmbyer zjarr dhe është vrarë njëri nga bashkëpunëtorët në kryerjen e kësaj vjedhjeje, shtetasi Miljan Elezi (alias Artur Tafani). Në këtë vjedhje është marrë një sasi prej 12 kg flori. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Agustin Sula, Fatmir Pjetri, Miljan Elezi (alias Artur Tafani), Saimir Kala dhe Dritan Kola.
30 vjet burg, pse? Vetem ne afrik apo vende si kina denojn njerzit kaq shumë Qmenduri Pushtetaret kan vjedh miliardat dhe skan ba as 1 ditë burg Gërdeci, rruga e kombit, e sa e sa të tjera. Në shqiperi shteti të shkel me këmbë.
PërgjigjuDuhej të denohej me burg perjete, ose kapital. Mendo ti mirditor që pa i pasur borxh askujt të të vinë në shtepinë tende e të marrin atë pasuri qĕ e krijuar me djersë e me gjak.
Kan marr pak, kur mendon qe ne mes te dites kan qen te gatshem me arem te bejn lufte me policine dhe roje objektesh, qe i jan fut robit ne shpi te vet dhe e kan dhunuar.
Ashtu eshte