Ishte vitit 1992 kur Italia provoi e para regjimin 41 bis në burgje, një formë të rreptë izolimi për të dënuarit që nuk kishin hequr dorë nga shkelja e ligjit dhe brenda qelisë u jepnin urdhra bandave të tyre kriminale. Në Shqipëri ky regjim i posaçëm u aplikua për herë të parë në vitin 2020. 

Siç mëson Report Tv, deri më tani, janë 15 njerëz të botës së krimit që e kanë provuar regjimin 41 bis në qeli izolimi të ngritura në burgun e sigurisë së lartë në Peqin dhe tek 313-a në Tiranë. 

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë, anëtarë të bandave kriminale janë vendosur në regjimin e posaçëm, në të cilin rregullat ndryshojnë nga një qeli e zakonshme. U lejohet vetëm një takim në muaj me familjarë të afërt dhe jo anëtarë të tjerë të fisit. Gjithçka regjistrohet me audio dhe video dhe nuk u lejohet futja e asnjë lloj sendi, përfshirë edhe paratë. Një telefonatë në muaj, e monitoruar, maksimalisht 10 minuta. Në ajrim mund të dalin deri në 2 orë në ditë, ndërsa u ndalohet të përfshihen në organizata dhe sindikata burgjesh.  

Thelbi i 41 bis është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë qelisë, pengimin e bosëve të mafies për dhënien e urdhrave për vrasje dhe krime të tjera, për sa kohë janë në burg. 

I fundit që u vendos brenda këtyre qelive është Ilir Kupa, kreu i grupit të babagjyshërve, autor i grabitjeve të shumta, në veçanti ajo e fundvitit 2013 në një qendër tregtare.

I pari që “inauguroi” regjimin 41 bis është Emiljano Shullazi, e më tej dhe anëtarë të grupit të tij Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja. Ata hynë në “41-bis” në gusht të vitit 2020, edhe pse për ta në atë periudhë nuk kishte një dënim të formës së prerë. 

Bashkë me ta, në regjimin “41-bis” do të izolohej Arbjon Aliko, pjesë e grupit të Lazaratit, autor i ekzekutimit në 2015-ën të efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, i dënuar me burgim të përjetshëm. Në “41-bis” i radhës ishte Genci Balla, imami i vetëshpallur i Xhamisë së Unazës së Re, i dënuar me 17 vjet burg si kreu i një grupi që rekrutonte shqiptarë për të luftuar në Siri. 

Emiljano Shullazi, Endrit Qyqja, Arbjon Aliko dhe Genci Balla u mbajtën plot 2 vite në izolim, deri në gusht të vitit 2022. Përgjatë kësaj periudhe nuk munguan greva e urisë, taktikat e padive nëpër gjykata për lirim dhe problemet shëndetësore.  

Redjan Rraja, pjesë e grupit që kërkuan të eliminonin prokurorin Arjan Ndoja, në 2019 u shtua në listë në nëntor të 2021-shit. Bashkë me të ishte Fatmir Pjetri, edhe ky pjesë e grupit të babagjyshërve, i dënuar me 30 vjet burg. Aleksandër Llanaj, gjithashtu u izolua në regjimin e posaçëm, i dënuar më burg përjetë për një vrasje të tre-fishtë në Vlorë 7 prillin e 2015-ës. I fundit në atë periudhë, por jo më pak i rëndësishëm ishte Arbër Çekaj, i dënuar me 14 vite burg për 613 kg kokainë të kapur në Portin e Durrësit në shkurt 2018, e cila vinte nga Kolumbia. 

I radhës që do të izolohej në “41-bis” ishte Viktor Ymeri, i cili më herët i kishte shpëtuar një dënimi më burgim të përjetshëm. Bashkë me të në maj 2022 do të izoloheshin edhe vëllezërit Klemend e Eldi Çala, të dënuar respektivisht me 20 dhe 17 vjet burg si anëtarë të grupit të grabitjes së 9 prillit 2019 brenda pistës së aeroportit të Rinasit. 

Të gjithë sot e kanë mbyllur dënimin në “41-bis” dhe i vetmi në qelitë e izolimit është Ilir Kupa.