Detaje të reja nga grabitja me armë e ndodhur mesditën e së enjtes në filialin e një banke të nivelit të dytë, në Tiranë. 61-vjeçari Bardhyl Fusha ka treguar se kishte rreth 70 mijë euro borxhe të pa shlyera tek punëtorët, për shkak se ishte sipërmarrës në fushën e ndërtimeve. Ai ka deklaruar më tej se kishte zgjedhur të grabiste bankën për shkak se kishte shkuar edhe herë të tjera aty kur kryente pagesat. Fusha, me origjinë nga Gramshi jetonte në Tiranë me familjen në një banesë me qira. Ai u afrua pranë bankës me automjetin e tij dhe pas e parkoi aty pranë hyri i armatosur në filialin e bankës. Mësohet se roja i sigurisë private nuk ishte për momentin tek dera, por dedektori sinjalizoi se Fusha që sapo u fut në bankë kishte metal me vete. 61-vjeçari nxori menjëherë kallashnikovin nga çanta dhe qëlloi një herë në dysheme. Ai arriti të marrë vetëm 800 mijë lekë të vjetra në njërën prej arkave dhe sapo doli tek dera u arrestua. Për armën e zjarrit ai deklaroi se e kishte që prej vitit 1997 dhe e mbante në banesë.


Lajmi kryesor:

Ekskluzive/ Grabitja me armë në bankë, flasin për Report Tv dy policët që neutralizuan autorin: Situatë e rrezikshme, kishte qytetarë (VIDEO)