Vëllezërit Klement dhe Eldi Çala kanë çuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen që lidhet me grabitjen e bujshme në aeroportin e Rinasit, duke kundërshtuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Lartë.

Kërkesa është depozituar nga avokatët e tyre, Evjola Shehu dhe Neshat Fana, të cilët kërkojnë shfuqizimin e vendimit aktual dhe rikthimin e çështjes për shqyrtim të ri. Sipas pretendimeve të mbrojtjes, gjatë procesit gjyqësor janë cenuar standardet e procesit të rregullt ligjor dhe të drejtat kushtetuese të të dënuarve.

Për këtë dosje, Klement Çala është dënuar me 20 vite burg, ndërsa Eldi Çala me 17 vite burg. Në total, për të akuzuarit e grupit janë konfirmuar 122 vite burg.

Anëtarë e grupit kriminal kishin planifikuar vjedhjen me armë të shumave monetare, shumë kohë para se të realizohej duke siguruar dhe përshtatur automjetin me të cilin realizuan vjedhjen, automjetet e tjera me të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes, siguruan mjetet e nevojshme për hapjen e dyerve të emergjencës së perimetrit të aeroportit, armët luftarake, studiuan lëvizjet e mjeteve monetare në brendësi të aeroportit duke e planifikuar me detaje kryerjen e vjedhjes.

Në 9 prill 2019 u grabitën 4.6 milionë euro në 'barkun' e avionit në Aeroportin e Rinasit, ku gjatë ndjekjes u vra nga policia Admir Murataj, që u konsiderua nga Prokuroria si 'koka' e grabitjes. Me anë të një furgoni me mbishkrimin “Hetimi tatimor”, Murataj, bashkë me 3 persona të tjerë, morën në momentin që po ngarkoheshin në avion 7 thasë me para.

Dy vëllezërit nga Elbasani Klement dhe Eldi Çala u arrestuan në mars 2020 në një vilë në Qerret, të dyshuar si autorë dhe drejtues të grupit të grabitësve të blindave me para në Rinas. 

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë