Kurora e Perandoreshës franceze Eugénie mbeti e shtypur pasi u hodh nga hajdutët që po arratiseshin gjatë grabitjes në Luvër tetorin e kaluar, por është “pothuajse e paprekur” dhe mund të restaurohet plotësisht, ka njoftuar muzeu.
Grabitësit vodhën bizhuteri me vlerë rreth 88 milionë, por lanë në mes të arratisë stolinë e mbuluar me diamante që i përkiste bashkëshortes së Napoleonit III.
Muzeu ka publikuar fotografitë e para të kurorës që nga vjedhja, duke thënë se ajo ishte lënë “e deformuar rëndë” pasi hajdutët u përpoqën ta nxirrnin përmes një vrime të ngushtë që kishin sharruar në vitrinën e saj prej xhami.
Kurorës i mungon një nga tetë shqiponjat e arta që e zbukuronin, por ajo ruan të gjitha 56 smeraldët dhe thuajse të gjithë përveç 10 nga 1.354 diamantet e saj.
Muzeu shtoi se kurora e shekullit XIX do të restaurohej në gjendjen e saj origjinale .
Grabitja ndodhi më 19 tetor kur bandatë përdorte një platformë mekanike të montuar mbi një automjet të vjedhur për të hyrë në Galerie d’Apollon (Galeria e Apolonit) përmes një ballkoni pranë lumit Senë.
Dy nga hajdutët hynë brenda duke prerë dritaren me mjete elektrike. Më pas ata kërcënuan rojet, të cilët evakuuan zonën, dhe prenë xhamin e dy vitrinave pas së cilave ndodheshin bizhuteritë që dikur i përkisnin mbretërisë franceze ose sundimtarëve të saj perandorakë.
Prokurorët thanë se hajdutët qëndruan brenda për më pak se katër minuta përpara se të arratiseshin me dy skuterë që i prisnin jashtë.
Policia ka arrestuar katër të dyshuar, për të cilët prokurorët pretendojnë se janë hajdutët, por truri i grabitjes ende nuk është identifikuar.
Shtatë sendet e tjera të bizhuterive të marra, përfshirë një diademë të mbuluar me diamante që i përkiste Eugénie-s, si edhe varëse, vathë dhe spila, mbeten ende të zhdukura.
Komente







