Policia ka arrestuar pas katër ditësh autorin që grabiti një pikë karburanti në Krastë të Krujës. Ai është identifikuar si Marvin Ferra.

Sipas informacioneve autori i dyshuar nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet me një makinë tip ‘Benz’ – me vete kishte edhe një të mitur.

Gjatë këtij aksioni Ferra ka pësuar edhe një aksident, dhe pas përplasjes së automjetit ka tentuar të largohet në këmbë. Por arratisja nuk zgjati shumë pasi ai ra në prangat e policisë.

Para bluve ai ka pranuar autorësinë e grabitjes dhe ka treguar edhe një vend ku mbante fshehur armë zjarri. Policia ka sekuestruar një kallashnikov dhe një pushkë.

Ndërkohë Report Tv ka siguruar videon kur autorët grabisin xhiron ditore, rreth 20 mijë lekë. Në video ata shihen të maskuar dhe kallash në dorë. Fillimisht tentojnë të hapin derën ku po qëndronte punonjësi i karburantit dhe më pas nën kërcënimin e armës marrin lekët dhe largohen.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:19
Grabitën karburantin në Krujë, Report Tv siguron pamjet! Momenti kur autorët kërcënojnë me kallash punonjësin (VIDEO)

Report Tv ka siguruar momentin kur Marvin Ferra së bashku me një të mitur me kallash kërcënojnë punonjësin për të marrë paratë.

Nga pamjet shihet se autorët të veshur me të zeza dhe me maska në fytyrë fillimisht tentojnë të hapin derën ku po qëndronte punonjësi i karburantit. Ky i fundit pas disa sekondash e hap derën vet dhe më pas njëri prej tyre hyn brenda, dhe marrin lekët. Nën kërcënimin e armës ata detyrojnë punonjësin të futet brenda dhe më pas largohen.