Një ditë pas grabitjes spektakolare të 3,5 milionë eurove, nga eskorta e blinduar e një banke të nivelit të dytë në Qafë-Kashar, policia prangosi 6 punonjësit e shoqërisë private të sigurisë “Rogat Security”. Këta të fundit ishin pjesë e eskortës që po shoqëronin autoblindin me para në drejtim të drejt Rinasit, që mendohet se ishte destinacioni fillestar i parave. 

Sipas policisë së Tiranës, bëhet me dije se në pranga kanë rënë Alban Sharra, 43 vjeç, Agron Ademi, 44 vjeç, Agron Lloha, 48vjeë, Niko Prifti, 38 vjeç, Eduard Metollari, 32 vjeç, të cilët kishin si detyrë transportin dhe ruajtjen e vlerës monetare. Po ashtu, i arrestuar është edhe administratori i shoqërisë Artan Mane 38 vjeç. 
Të gjithë ata akuzohen për shkelje të rregullave të sigurimit gjatë transportit të vlerave monetare, si dhe për shpërdorim detyre. Deri më tani policia thotë se nuk ka ende dyshime se punonjësit e policisë private mund të jenë përfshirë në grabitje, apo se mund të kenë rol, por sipas burimeve po hetohet pozicioni i secilit prej tyre. 

Sipas policisë këta persona u arrestuan sepse në Qafë Kashar-Rinas, afër kthesës së Laknasit, 5 persona të armatosur, kanë qëlluar dy herë në ajër me armë zjarri dhe kanë goditur me mjete të forta xhamin e mjetit transportues, ku kanë marrë një sasi lekësh që po transportoheshin nga eskorta. Sipas hetuesve të policisë, personat nuk kanë marrë masa për ruajtjen dhe sigurimin e vlerave monetare, duke bërë të mundur që autorët të granisnin një sasi prej rreth 3.5 milionë euro nga mjeti i blinduar që po i transportonte ato.

Ndërsa mjeti me të cilin dyshohet se janë grabitur paratë, u gjet në afërsi të urës së Limuthit tërësisht i djegur ndërkohë që kishin marrë nga kjo eskortë një armë zjarri automatik e poseduar prej rojës së eskortës.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja kalibër 7.65 mm, dy fishekë luftarake model 56, një predhë e dëmtuar, një fenelinë policie dhe dy leva hekuri. Këto prova janë administruar nga hetuesit dhe tashmë po ekzaminohen në laboratorët përkatës me qëllim orientimin e hetuesve drejt autorëve të mundshëm.
 
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)