Një grabitje që duket si skenar filmi ka tronditur Gjermaninë në ditët e fundit të vitit 2025. Autorë ende të paidentifikuar kanë hyrë në një degë të bankës së kursimeve Sparkasse në Gelsenkirchen, pranë Frankfurtit dhe kanë bastisur me forcë mbi 3.200 kasaforta sigurie.

Paratë, ari dhe sendet me vlerë janë zhdukur pa lënë gjurmë. Dëmi vlerësohet paraprakisht nga 30 milionë euro, por hetuesit paralajmërojnë se shifra mund të jetë edhe më e lartë, ndërsa shumë media raportojnë se vlera mund të arrijë deri në 90 milionë euro. Më shumë se 2.500 klientë janë prekur nga ajo që tashmë konsiderohet një nga grabitjet më të mëdha në historinë kriminale gjermane.

Gjithçka u zbulua të hënën në mëngjes, kur një alarm zjarri çoi policinë dhe zjarrfikësit në bankë. Ajo që gjetën i la pa fjalë: një vrimë e madhe e shpuar në mur, dyer të hapura me forcë dhe një kasafortë e shkatërruar pothuajse plotësisht.

Sipas policisë, autorët kanë përdorur pajisje industriale profesionale, duke hyrë nga një garazh parkimi dhe duke vepruar pa u vënë re për ditë të tëra.

Dëshmitarë raportojnë se që të shtunën në mbrëmje kishin parë burra me çanta të mëdha në shkallët e një garazhi pranë bankës.

Kamerat e sigurisë e përforcojnë dyshimin: të hënën herët në mëngjes, një Audi RS6 i zi me targa të vjedhura u filmua duke dalë nga garazhi, me persona të maskuar brenda.

Hetuesit dyshojnë se grabitësit janë larguar qetësisht, duke marrë me vete pasurinë e mijëra klientëve.

Pas lajmit, situata përpara bankës u përshkallëzua. Për dy ditë rresht, rreth 200 klientë të zemëruar u mblodhën përpara degës së mbyllur, duke kërkuar përgjigje.

“Duam të hyjmë! Duam të hyjmë!” – brohoriste turma, ndërsa disa tentuan të kalonin rojet e sigurisë. Policia ndërhyri për të shmangur përplasjet.

Banka pranoi se më shumë se 95% e kasafortave janë thyer, por nwnvizoi se nuk mund të japë ende një pasqyrë të saktë të dëmit, pasi çdo kasafortë është e siguruar veçmas.

Pyetja që ngrihet: a mund të ishte ndalur më herët?  Një detaj i errët po hetohet paralelisht: një alarm zjarri ishte aktivizuar edhe të shtunën në mëngjes, por atëherë autoritetet nuk kishin konstatuar asnjë dëmtim.

A ishte ky sinjali i parë i grabitjes? Hetimet vijojnë.