Ju duruat pushtimet, vuajtjet, nënshtrimet, turpërimet, etjen, urinë, shijuat pavarësinë, mirëpritët Mbretërinë, i thatë peqe-lepe Diktaturës, kalitët me duart tuaja prangat, duartrokitët demokracinë, pluralizmin, provuat kurbetin, arratinë, trafiqet, piramidat, zbrazët tunelet e armëve, mbushët shtëpitë me kalashnikova, bomba, granata, mortaja, eksploziva, tritola, dinamita. S'latë të bardhë pa nxirë, s'latë të zezë pa bërë. Por kurrë, kurrkund, për asnjë çast, për asnjë arësye apo rrethanë, nuk hoqët dorë nga qefi i kahershëm, orgazma e preferuar, zanati shekullor, vjedhja, grabitja, xhvatja, hajnia.

Jo flisni e bërtisni për Besën që nuk e mbani, për Moralin që nuk e keni, për Traditën që nuk e respektoni, për Kulturën dhe Artin që s'ja keni haberin. Por e vetmja gjë që dini të bëni, është vjedhja.

Juve perfeksionistat e hajdutllëkut që vjedhjen e keni si ajrin që thithni, si ujin që pini, si bukën që hani, si mishi që kafshoni, të gjithëve ju një nga një; Kolera ju hëngërt, zgjebja ju përpiftë, sytë ju dalçin, veshët ju shurdhofshin, gjuha ju thaftë, dheri ju mbuloftë, zjarri i Xhehenemit ju djegtë.

Sharjet dhe mallkimet si; Jeta ju sterroftë, nata ju shkretoftë, mëngjezi mos ju gjet'ë, dielli ju djegtë, acari ju ngriftë, janë komplimenta për ju që vidhni.

Juve që vidhni, sytë ju nxjerrshin me gozhdë, gishtat ju prefshin me gërshërë, krahët ju thefshin me sqepar, këmbët u mpifshin me gjilpërë, sepse ju hajdutëve që vidhni këto nuk ju duhen për asgjë tjetër, veçse për të vjedhur.

Juve që vidhni, e mira është, shtigjet ua zënshin ferrat dhe gurët, rrugët jua shembtë shiu, Benzi ju përplastë ju bëftë copa pas shkëmbit, rënshi bashkë me furgon në humnerë, ju martë lumi me gjithë autobuz ju çoftë në det, kali, mushka, gomari ju ngordhtë, trenat ju dalçin nga shinat, biçikletat ju çpofshin, aeroplanat u rrëxofshin, tragetat u mbytshin, se ju kudo ku shkoni, shkoni për të vjedhur.

Ju që vidhni, se keni problem të vidhni, jo vetëm sendet, paret, punën, djersën, pronat. Ju që vidhni, vidhni edhe  jetët, fatin, fatkeqësinë, vuajtjet, peripecitë, dhe gjithçka që s'është e juaja, por e tjetrit.

Ju hajdutat që vidhni, s'ndaleni së vjedhuri as para turpit të turpeve, turpit më të madh që ekziston; të paguheni me pare të vjedhura.

Ju që vidhni, vidhni edhe të vjedhurën e vjedhur shumë herë më parë se ta vidhni ju që vidhni.

Ju vidhni edhe shokun, mikun, kolegun, eprorin, inferiorin. Edhe nonën dhe babën, motrën, vëllain, çunin, gocën, nipin, mbesën. Morpo edhe veten e vidhni ju që vidhni. Askend nuk e lini pa e vjedh ju qelbësirët që hiqeni të pastër, ju gropat e haleve që mbaheni të ndershëm.

Ju mor legena, ju mor burracakë, ju mor rrugaçë të pa Dine e pa Iman, ju që vidhni gjithçka që ju sheh syri, ua nuhat hunda, ua prek dora, ua ka ënda, u vete mendja, ju vidhni edhe atë që villni, ju edhe vjedhjen e vidhni.

Turpi, turpërimi, dënimi, pushkatimi, varja, burgu, rrahja, internimi, vuajtja, tortura, asgjë e tillë s'ju ndal me vjedh ju o faqezinj që vjedhjen s'e keni aspak problem, por veçse zbavitje, veçse dëfrim.

Ju hajduta, ju hajna, ju plehra, me j'u shajt me libër shpie, me ju pështy në surrat, me ju hedh në gropë zifti të nxehtë, në furrë të gëlqeres së pashuar, në kazan të valuar, me j'u kavërdis pa vaj në tigan, kokën te trungu i kasapit me ua vu, mbi turrë drush me j'u shkrumu, me ju myt në det, me ju braktis në një ishull të shkretë, i keni pak.

Çfarë meritoni ju o legena me ju largu, me ju bo përgjithmonë sikter që të mos ktheheni kurrë, është me ju hedh jashtë orbitës së sistemit diellit. Por ju që vidhni jeni aq të pasionuar me vjedh dhe aq të vendosur me xhvat, sa edhe nga Kozmosi vini, ktheheni për me ushtru zanatin e pamoralshëm, të turpshëm dhe të dënueshëm, të hajdutit.

O burra të kalitim durimin mos na mbarojë, të forcojmë nervat mos na këputen, të kursejmë lotët mos na shterrin. S'ka mënyrë tjetër me mbetë gjallë në këtë vend hajdutash të pakurueshëm.