Në fshatin Imshtë të njësisë Bubullimë në Lushnje, sipas deputetit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, po ndodh një grabitje e tokës publike për ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Duke ndarë pamje nga protesta e banorëve dhe përballja e tyre me policinë, Braçe akuzon këtë të fundit se “po vepron si përmbaruese e grabitjes së tokës”. Në videon e publikuar prej tij, shihet një person që u thotë bujqve “boll bërtitët”, për të cilin deputeti thotë se është “agai i ri” që synon të ndërtojë panele fotovoltaike në këtë zonë.

Sipas Braçes, toka në fjalë shtrihet nga buza e lumit Seman deri te argjinatura dhe ligji “Për burimet ujore” e përcakton qartë si tokë lumi, pra tokë publike, të patjetërsueshme dhe të paparashkrueshme.

Ai thotë se prej një viti e gjysmë e ka kallëzuar çështjen në Prokurori dhe se javën e kaluar ka konfirmuar në Prokurorinë e Fierit që ajo është ende nën hetim dhe në fazën e dytë të veprimeve hetimore.

Braçe ngre pikëpyetje për praninë e Policisë së Lushnjës në terren, ndërsa çështja është nën hetim, dhe akuzon institucionet për shkelje të hapur të ligjit. Sipas tij, dy javë më parë i njëjti person ka qenë në zonë pa polici, por i shoqëruar nga persona të cilët i quan ‘kriminelë’ që kanë kërcënuar banorët dhe fëmijët e tyre.

Deputeti kujton se një tentativë e ngjashme për përvetësimin e kësaj toke ka ndodhur edhe më herët, me mbështetje politike, por është ndalur pasi çështja ka kaluar për hetim.

Në postimin e tij, Braçe thekson se, sipas ligjit, toka është pronë e shtetit dhe çdo veprim për ta përvetësuar përbën grabitje dhe shpërdorim detyre nga ana e policisë.

Problemi i mbartur prej vitesh

Konflikti për këtë tokë është i mbartur prej vitesh. Ai zhvillohet mes banorëve dhe një personi që pretendon se i ka blerë tokat nga një palë e tretë. Sipërfaqja ndodhet brenda argjinaturës së lumit Seman dhe është pjesë e fondit të ndërmarrjes pyjore, pra tokë shtetërore.

Banorët nuk e kanë tokën në pronësi, por e kanë përfituar në përdorim me ligjin 7501 dhe e shfrytëzojnë prej rreth 30 vitesh. Aktualisht, çështja është nën hetim nga Prokuroria e Fierit.

Sipas banorëve, personi që pretendon pronësinë ka tentuar disa herë ta rrethojë tokën me tela, duke e trajtuar si pronë private. Këto tentativa janë kundërshtuar nga komuniteti dhe janë shoqëruar me përplasje, ndërsa banorët këmbëngulin se dokumentet e paraqitura janë të falsifikuara. Ata e krahasojnë situatën me konfliktin e shfaqur së fundmi në Velipojë, por theksojnë se në Imshtë ky problem përsëritet prej vitesh.

Postimi i plotë i Erion Braçes në Facebook 

"Lushnjë, njësia Bubullimë, fshati Imshtë Grabitje e tokës publike live! Habia e madhe? Bujqit po mbrojnë tokën publike, policia vepron si përmbaruese e grabitjes së tokës! Ky që shihni në video, që ju bërtet bujqve e ju thotë “boll bërtitet” është agai i ri që do të ndërtojë panele fotovoltaike mu në këtë tokë! Ç’ është kjo tokë? Është një sipërfaqe toke nga buza e lumit Seman deri në argjinaturë. Është kjo mbi të cilën po rrijnë bujqit. Ç’thotë ligji?  

Ligji “Për burimet ujore” përcakton qartë se kjo tokë është “tokë e lumit” pra tokë publike e pa tjetërsueshme dhe paparashkrueshme!  Një rrjesht i gjatë institucionesh publike janë përfshirë në grabitjen e kësaj toke dhe kanë shkelur kriminalisht ligjin.  Një vit e gjysmë më parë, si deputet i këtyre njerëzve, kam kallëzuar në prokurori gjithkënd; javën që shkoi konfirmova në Prokurorine e Fierit se çështja është nën hetim dhe janë në valën e dytë të kryerjes së veprimeve hetimore.  Pyetja që kam tani është e qartë: kur çështja është nën hetim në Prokurorinë e Fierit, ç’punë ka Policia e Lushnjës në krah të një personi që kërkon të përfundoje grabitjen e tokës nga një farë bilbili?

Dy javë të shkuara, ky tip ishte në Imshtë pa policinë, por me kriminelë që bënin çmos tu dukeshin armët; kanë kërcënuar banorët dhe ju kanë përmendur jetën e fëmijëve. A ka turp më të madh se Policia e Shtetit sot në mbrojtje të një grabitjeje ditën për diell kur ligji është shumë i qartë?!  Është e përsëritur kjo!

Një vit e gjysmë më parë, me mbështetje të një politikani, i njëjti tip kishte përsëri policinë me vete deri ditën që politikani ra nga karrigia! Nga ajo ditë, kjo përpjekje u shua dhe prokuroria po heton. Nuk di cili është politkani që po i del për zot këtë herë, por dua të theksoj me forcë: sipas ligjit, kjo është tokë e shtetit, e patjetërsueshme dhe e paparashkrueshme; Gjithccka që po ndodh është grabitje dhe shpërdorim detyre nga ana e policisë!"