Në gjendjen aktuale ku ndodhen shumica e fushatave të vaksinimit në Evropë, hipoteza e “green pass”, pasaportat që vërtetojnë imunitetin apo rezultatin negativit ndaj Covid-19, mund të duket e parakohshme. Por aktualisht debati është i zjarrtë në vendet që tashmë kanë arritur të vaksinojnë një pjesë të mirë të qytetarëve.
Certifikatat e gjelbra dixhitale që vërtetojnë vaksinimin, shërimin e kohëve të fundit nga Covid-19, apo rezultatin negativ të testit të tamponit, do t’i japin ndoshta mundësi një pjesë të popullatës evropiane që të rifillojë udhëtimet e lirshme brenda BE-së.
Në Izrael, një aplikacion që identifikon të vaksinuarit dhe të shëruarit, i lejon qytetarët të frekuentojnë hotelet, palestrat, muzeumet dhe vendete tjera publike. Nga ana tjetër, këto mjete mund të shkaktojnë sjellje të rrezikshme, si midis atyre që kanë një pasaportë të tillë, ashtu edhe midis atyre që e dëshirojnë një të tillë.
Argumentet pro këtij dokumenti
Studimi që nuk është rishikuar ende nga kolegët, është rezultat i një shqyrtimi të një serie studimesh të sjelljes njerëzore nga një grup psikologësh britanikë, gati të gjithë anëtarët të “Scientific Pandemic Insights Group on Behaviours”, paneli i ekspertëve që e këshillon qeverinë britanike mbi aspektet e sjelljes që lidhen me pandeminë.
Sipas ekspertëve, lejimi i njerëzve që të takojnë njerëzit si më parë, të punojnë në praninë e njëri-tjetrit, të lëvizin, të shkojnë në vende publike dhe të kujdesen për të dashurit e tyre, do të sjellë përfitime të padyshimta sociale, emocionale dhe ekonomike.
Për më tepër, mbajtja më fuqi e kufizimeve të tepërta mbi sjelljen e njerëzve që paraqesin një rrezik të reduktuar për shëndetin publik, mund të konsiderohet jo etike. Për të mos përmendur faktin që në disa rrethana, pasaporta e imunitetit ndaj Covid-19 mund të shtyjë të vaksinohen edhe ata që ende hezitojnë ta bëjnë këtë.
Argumentet kundër
Gjithsesi nga këndvështrimi i parandalimit të infektimit, dhe pas një periudhe kaq të gjatë mbylljesh dhe masash paraprake mbrojtëse, këto pasaporta të imunitetit mund të çojnë në sjellje të padëshirueshme, që rrezikojnë të çojnë në një rritje të re të infeksioneve.
Njerëzit që e dinë se kanë antitrupa, mund të përdorin mënyra të rrezikshme të ndërveprimit, dhe të heqin dorë nga mbajtja e maskave, distancimi social dhe larja e duarve, duke rritur shanset e infektimit dhe transmetimit të COVID-19 tek njerëzit e pa vaksinuar.
Dhe nëse zotërimi i antitrupave anti-COVID do të bëhej mënyra e vetme për të hyrë në disa aktivitete, ata që nuk kanë pasur ende mundësi ta bëjnë vaksinën, mund të përpiqen të infektohen qëllimisht për t’iu rikthyer sa më shpejt të jetë e mundur jetës së tyre të mëparshme.
Dyshimet mbi imunitetin
Pra jashtë kontekstit të udhëtimeve ndërkombëtare, për të cilat është i domosdoshëm vërtetimi i imunitetit ose i negativitetit në raport me COVID-19, ideja e pasaportave të tilla nuk sjell vetëm përfitime. Përveç aspekteve psikologjike të theksuara në studim, dhe lënien jashtë të çështjeve që kanë të bëjnë me privatësinë dhe diskriminimin e pashmangshëm në qasjen ndaj vaksinave, brenda vendeve individuale dhe midis zonave të ndryshme të botës, ka edhe disa probleme të natyrës shkencore.
Sa zgjat imuniteti natyror ndaj COVID-19? Sa garantohet ai nga vaksinat? Edhe vaksinat më të fuqishme nuk garantojnë efektivitet 100 për qind kundër infeksionit, dhe nuk është ende plotësisht e qartë (ose të paktën jo për të gjitha vaksinat), se në çfarë mase njerëzit e vaksinuar janë në gjendje të infektojnë pa dijeninë e tyre ata që nuk janë vaksinuar. / Focus.it – Bota.al
Nena ime i beri te dy vaksinat,por ketu ku jetojme ne i dhane nje flete-vertetim.Sipas mjekeve te ketushem, eshte e vlefshme per udhetime,s'ka nevoje per vertetim dixhital.Vende te ndryshme,rregulla te ndryshme.
Përgjigju