DURRES- E qeshura dhe humori rikthehen në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës me komedinë “Grepi i Artë”, një vepër që ndërthur intrigat, dyshimet dhe sekretet në një histori plot të papritura.
Me autor Bashkim Hoxhën dhe regji të Najada Elmazit, shfaqja u prezantua premierë mbrëmjen e së enjtes, duke përcjellë emocione dhe të qeshura për publikun.
Në qendër të komedisë janë ambicia për pushtet dhe përpjekjet për të ruajtur imazhin, të cilat krijojnë konflikte, keqkuptime dhe situata të mbushura me ironi.
Për autorin Bashkim Hoxha, kjo premierë ka një domethënie të veçantë, pasi rikthehet në skenën ku, 50 vite më parë, vuri në jetë dramën e tij të parë, “Shokë Lufte”.
Përmes personazheve shumëngjyrëshe, historia vjen në skenë përmes interpretimit të aktorëve Neritan Liçaj, Julia Ilirjani, Mimoza Marjanaku, Era Çaushi, Ervin Doko, Marvin Tafaj dhe Xhejni Fama.
Komedia “Grepi i Artë” do të vijojë të shfaqet edhe gjatë fundjavës në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.










Komente
Komento