GREQI- Policia ka arrestuar një shqiptar 32 vjeç, i cili dyshohet se ka grabitur 9 banka si dhe pas vjedhjeve, arratisej me një taksi që e priste jashtë. Burimet zyrtare të policisë greke u thanë mediave të shtetit fqinj se një 32-vjeçar i veshur me kapelë dhe syze dielli hyri në bankë në rrugën “Galatsi”, ku iu drejtoi armën klientëve dhe duke neutralizuar punonjësit, merrte paratë.
 
Grupi hetimor ka identifikuar një taksi me të cilën po udhëtonte shqiptari, në posedim të së cilit është gjetur dhe sekuestruar një sasi parash nga grabitja e bankës.
 
Gjatë kontrolleve në shtëpinë e tij në Ambelokipous është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 15 fishekë. Siç bëhet me dije nga hetimet e Departamentit të Krimeve kundër Pronës, 32-vjeçari shqiptar 4 muajt e fundit kishte kryer 9 grabitje të tjera në degën e bankës në Athinë, gjithmonë duke përdorur të njëjtën metodë, i veshur me kapelë dhe syze dielli, kryente grabitjen dhe ikte me një taksi që e priste jashtë.
 
Ai dyshohet se vetë kishte marrë pjesë në grabitjen e 9 bankave greke, ndërsa ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arrest për përfshirje në një bandë shqiptarësh që kishin grabitur të paktën 26 pika bankare dhe postare në rajonet e Atikës.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)