"57 të vdekur" është shkruar me ngjyrë të kuqe tek letra që një demostruese ka ngjitur në pulovër. Të gjithë në Selanik, qytetin e dytë për nga madhësia të Greqisë, e dinë për çfarë bëhet fjalë: 57 është numri i njerëzve të vrarë gjatë përplasjes shkatërrimtare të trenave që ndodhi mbrëmjen e 28 shkurtit, kur lokomotivat e dy trenave që udhëtonin me shpejtësi të madhe u përplasën në rrethinat e fshatit Tempi, që ndodhet pranë qytetit Larisa.
Gruaja 58-vjeçare, me letrën në pulovër është një nga qindra-mijëra protestuesit në Greqi, që dolën në rrugë për të shfryrë zemërimin në rrugët e më shumë se 50 qyteteve të mëdha dhe të vogla në gjithë vendin.
Për këtë grua dhe 20 mijë njerëzit e tjerë që mbushën qendrën e Selanikut, kjo tragjedi tregon për një dështim të plotë politik: "Tregon se të gjithë ata që kanë qenë dhe janë në qeveri nuk mendojnë për mirëqënien e njerëzve, por vetëm për përfitime personale. Ky krim e tregon mirë këtë gjë," thotë ajo me zemërim.
"Krim" është një fjalë që shfaqet në shumë pllakata dhe afishe; "vrasës” është fjala tjetër. Por protestuesit protestojnë jo vetëm kundër qeverisë aktuale, por edhe asaj të mëparshme. Njerëz të të gjitha moshave dhe bindjeve politike protestuan më 8 mars krah për krah duke rënë dakord për një gjë, që i gjithë sistemi politik duhet të pranojë përgjegjësinë për viktimat e përplasjes.
Shpresa të parealizuara nga qeveria greke
Përplasja e trenave tregoi se pilafi nuk mban më ujë. Me zgjedhjet që pritet të mbahen, zemërimi i njerëzve duket se vjen në një kohë të papërshtatshme për qeverinë e kryeminstrit, Qirjako Micotaqi.
Asgjë nuk ka mbetur më nga premtimet e Micotaqisit për progres dhe modernizim, premtime me të cilat ai erdhi në pushtet në verë të 2019. Shpresat e shumë grekërve lidhur me qëndrimin e tij në postin e kryeministrit, janë kthyer tani në zhgënjim dhe zemërim.
Sistemi hekurudhor vazhdimisht i financuar keq
Këto ditë ditë duatrokitjet nuk i marrin politikanët, por sindikalistët si Thodoris Varidakis-it. Ai është përgjegjës për mbarëvajtjen e trenave në kompaninë e privatizuar greke të trenave, Hellenic Train, dhe prej vitesh ka tërhequr vëmendjen për gjendjen e keqe të këtij sektori.
Më në fund ka ardhur dita që njerëzit t'u venë veshin atyre që thotë ai kur flet në podium para demostruesve për mungesat e mëdha, që sipas gjykimit të tij tregojnë, se për punëdhënësit nuk është në plan të parë siguria në punë, por minimizimi i kostove.
Në bisedë me Deutsche Wellen ai thotë se ndërmarrja e hekurudhave është financuar vazhdimisht keq dhe ka personel të pakët në numër. Të gjithë e kanë ditur këtë gjë, dhe nuk kanë marrë asnjë masë. Ai mendon se gjestet politike të Athinës pas katastrofës, janë farsë: "Nuk mjafton që qeveria të reagojë vetëm duke dhënë dorëheqjen një ministër. Ditën e parë, kryeministri i tregoi gishtin e mesit rojeve të stacioneve të trenave duke ua vënë fajin atyre,” thotë ai me zemërim.
Dështim kolektiv i politikës
Thodoris Varidakis nënvizon se asnjë qeveri e 20 viteve të fundit nuk është e pafajshme për 57 të vdekurit e Tempit. Jo vetëm partia e tanishme në pushtet, Nea Dimokratia, por edhe socialdemokratët e PASOK-ut dhe Aleanca e majtë e ish-kryeministrit Aleksis Cipras, nuk kanë marrë masat e duhura kur kanë qenë në pushtet, për të garantuar sigurinë në sistemin e transportit: "Aftësia konkurruese shihet me prioritet më të madh se sa siguria dhe shëndeti,” thotë Varidakis. Ai paralajmëron po ashtu se edhe sektorë të tjerë të transportit si autobusët, avionët ose anijet janë lënë pas dore sa i përket çështjeve të sigurimit teknik.
Në mediat greke shfaqet pothuajse përditë një zbulim i ri që hedh dritë mbi gjendjen katastrofike të sistemit hekurudhor.
Gazeta konservatore Kathimerini shkruan për gabime të bëra në kuadër të modernizimit të sistemit të sinjaleve dhe sistemit të vënies në punë, gabime që njihen që nga viti 2018. Me sistemet moderne të sigurisë, të instaluara prej kohësh në segmentin ku ndodhi përplasja, por të pa vënë ende në punë, dallohen dhe mënjanohen gabimet e bëra nga njeriu. Kathimerini nxjerr si përfundim, se nëse sistemi do ishte zbatuar si duhet "nuk do të kishte pasur sot të vdekur” dhe se "qeveritë e njëpasnjëshme kanë qenë njësoj indiferente ndaj këtij problemi”.
"Nuk ndjehem e sigurt "
Për shumë vetë në Greqi përplasja e trenave është kthyer në simbol që tregon për gjendjen e keqe të ekonomisë dhe vendimet e gabuara të njëpasnjëshe të një elite politike, që i ka bërë shumë problemeve të jetës së përditshme të vendit vetëm trajtim kozmetik. Rrugët e shkatërruara, autobusët e vjetëruar, rrjetet e ngarkuara të energjisë elektrike: Në Greqinjerëzit i pranojnë këto mungesa duke skërmitur dhëmbët, pa pasur besim se shteti do t'i zgjidhë këto probleme. Por katastrofa e trenave në Tempi, e ka zgjuar vendin nga gjumi i dorëheqjes kolektive. 57 të vdekurit nuk të lenë të dalësh kollaj nga lista e dështimeve politike.
"Unë nuk ndihem i sigurt në këtë vend,” thotë studenjta 20-vjeçare Alexia Athanasiou nga Larisa. Në një video që qarkullon në mediat sociale, ajo flet me fjalë që kanë tronditur gjithë vendin: "Ne të gjithë jemi fajtorë, sepse ua japim votën të njëjtëve njerëz që kanë shkatërruar vendin. Ata më bëjnë që të urrej vendin tim." Në intervistë me Deutsche Wellen ajo shpreh keqardhjen, sepse shumë nga viktimat kanë qenë studentë: "Ata vrasin të ardhmen tonë,” thotë ajo e zemëruar. "Si mund të ndodhë që qeveritë ta sjellin vendin në këtë gjendje?"
Megjithatë ajo nuk heq dorë nga besimi tek demokracia. Në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen ajo do të japë votën për herë të parë dhe shpreson kështu për pasojat politike.
Pasoja për zgjedhjet
Se kur do të zhvillohen këto zgjedhje është ende e paqartë. Mbasi u fol fillimisht për t'i mbajtur më 9 prill, tani pritet më shumë që të mbahen më 21 maj ose më 2 korrik. Në sondazhet e para të zhvilluara pas përplasjes së trenave, partia e kryeministrit Qirjako Micotaqis ka humbur tre përqind, duke rënë nën nivelin e 30 përqindshit. Partia SYRIZA, e drejtuar nga Aleksis Cipras nuk përfiton nga kjo humbje dhe vazhdon të mbesë tek 25 përqindshi. Volfango Pikoli, këshilltar politik me pikërëndesë në manaxhimin e rreziqeve dhe krizave, mendon se Micotaqis e ka humbur besueshmërinë: "Qeveria ka reaguar që nga fillimi keq në këtë krizë, duke thënë se shkaku i aksidentit kishte të bënte me gabime njerëzore. Pastaj dha dorëheqjen ministri i Transportit, por asgjë më shumë se kaq nuk ka ndodhur. Unë mendoj se qeveria e ka vlerësuar gabimisht perceptimin publik.”
Tani kryeministri Micotaqis mundohet të bëjë mbrapaktheu: "Ai ka kërkuar falje në mediat sociale dhe ka kërkuar që të zhvillohen hetime, që megjithatë do të kryhen nga një komision i krijuar nga ministria e Transportit, pa u konsultuar për këtë gjë as me opozitën", thotë Picoli kur flet me Deutsche Wellen. "Ne e kemi parë shpesh këtë gjë, për shembull gjatë skandalit të përgjimeve të telefonave. Edhe gjatë këtij skandali manaxhimi i krizës nga qeveria nuk ishte i mirë.”
Picoli mendon se zgjedhjet që pritet të mbahen do të jenë sfidë e madhe për Micotaqisin: "Ai duhet të qetësojë zemërimin e njerëzve, pa dalë shumë në plan të parë. Hapësira për të vepruar është shumë e vogël.”/DW