/ATSH-ANSA/ - Tashmë në Greqi, çdo aktivitet politik është përqëndruar në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pas përfundimit të parakohshëm të mandatit të presidentit aktual, Karolos Papulias, ku vëmendje e veçantë do t'i kushtohet votimit të tretë të 29 dhjetorit, që mund të rezervojë surpriza.

Liderët e dy partive kryesore të vendit, kryeministri Antonis Samaras (i "Demokracisë së re", qendra e djathtë) dhe Aleksis Cipras (i SYRIZA-s, e majta radikale), po punojnë për këtë datë të rëndësishme, pasi dy votime e para, më 17 dhe 23 dhjetor nuk pritet të japin ndonjë rezultat.

Duke folur dje në një manifestim të Shoqatës greke të Tregtarëve, kryeministri Samaras kujtoi se, sipas sondazheve, grekët nuk duan zgjedhje të parakohshme dhe do t'i dënojnë ata që kërkojnë t'i zhvillojnë këto zgjedhje.

Samaras akuzoi SYRIZA-n për linjën e zgjedhur politike lidhur me zgjedhjen e shefit të ri të shtetit.

"Ata kërkojnë të frenojnë ecjen e vendit drejt rimëkëmbjes ekonomike me kërcënimin për zgjedhje të parakohshme dhe me shkeljen e kushtetutës", deklaroi Samaras.
Kryeministri grek paralajmëroi kështu faktin se "një fitore e mundshme e SYRIZA-s në zgjedhje do të verë në rrezik qëndrimin e Greqisë në zonën euro, piërisht në momentin kur vendi është pranë rikthimit në normalitet".

Nga ana e tij, Cipras, duke folur përpara anëtarëve të sekretariatit politik të partisë së tij, këmbënguli se vendi po kalon një fazë vendimtare që do të kulmojë më 29 dhjetor, me votimin e fundit për presidentin e republikës.

Lideri i SYRIZA-s u kërkoi të gjithëve që të ishin gati për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare pasi, sipas Ciprasit, parlamenti aktual nuk mund të zgjidhte dot presidentin e republikës dhe për pasojë do të shkohej patjetër në zgjedhje të parakohshme.