Rezistenca e fermerëve po quhet Fronti bujqësor në Greqi dhe po përshkallëzohet orë pas ore në mbarë vendin, me bllokadat që tashmë i kalojnë 50 dhe rrugët dytësore, doganat dhe pikat kyçe të rrjetit rrugor që mbyllen njëra pas tjetrës.

Fermerët në zonën e Larisës e cila shihet si epiqendra e e rezistencës së fermerëve vendosën se nga sot do të nisin edhe bllokimin e rrugëv anësore të qarkullimit. Në bllokadën e Nikeias rreth 4.000 traktorë qëndrojnë të rreshtuar.

Bllokada simbolike të anës së rrugës po zbatohen nga sot, ndërsa një mbledhja do të vendosë për përshkallëzimin brenda javës. Të mërkurën është planifikuar edhe një bllokadë e portit të Volosit. Qëllimi strategjik është të zgjerohen mobilizimet në të gjithë rajonin e Thesalisë.

Selaniku është praktikisht i rrethuar nga 4 bllokada rrotull qytetit. Në këtë zonë janë regjitruar edhe përplasje me policinë. Bujqit zhvendosën traktorët në anët e rrugës, duke akuzuar forcat policore se mbajnë rrugën të mbyllur. Tre bllokada ndodhen në aksin Athinë–Lamia dhe një e katërt po përgatitet.

Në Janinë, bllokadës së sapokrijuar në aeroport iu bashkua edhe prania simbolike e fëmijëve të bujqve dhe blegtorëve. Edhe këtë të hënë, bllokimet pritet të kushtëzojnë hyrje daljet e udhëtarëve të Kakavijës.

Në 11:30 do të fillojnë protestat në Kretën lindore, ku bujqit do të lëvizin në një autokolonë drejt Heraklionit. Plani përfshin madje edhe një bllokadë të portit dhe aeroportit “N. Kazantzakis”, një zhvillim që, nëse zbatohet, do ta çonte krizën në një nivel krejtësisht të ri.

Qeveria thotë CNN grek ndodhet në një pikë të vështirë, pasi dy “vijat e kuqe” që kishte vendosur, shmangia e dhunës dhe mosbllokimi i infrastrukturës kritike janë testuar çdo ditë.

Kryeministri Mitsotakis përsëriti javën e kaluar se është i hapur për dialog të strukturuar, por fermerët nuk i besojnë angazhimeve të mëparshme dhe disa prej tyre kërkojnë takim drejtpërdrejt me Kyriakos Mitsotakis.

Në prapaskenë, qeveria po kërkon një urë lidhëse që mund të rikthejë komunikimin, në një kohë kur presioni shoqëror po rritet ndërsa afrohen festat dhe udhëtimet bëhen më të vështira.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:37
Greqi/ Protestat e fermerëve bllokojnë sërish aksin Kakavijë-Janinë, qarkullimi do të jetë i lirë vetëm për automjetet e emergjencës

1765190295_greqi.jpg

Për shkak të protestës që zhvillojnë fermerët në Greqi, aksi rrugor Kakavijë-Janinë nuk do të jetë funksional për qarkullimin e automjeteve nga ora 18:00 deri në orën 21:00 (me orën greke).

Policia e Gjirokastrës bën me dije se do të lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve për emergjenca shëndetësore.

“Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 18:00 deri në orën 21:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.

Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës”, thuhet në njoftim.

Greqia është “paralizuar” prej ditësh nga protestat e fermerëve, të cilët kanë bllokuar akset kombëtare për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni. Ata janë të vendosur të vazhdojnë dhe të intensifikojnë protestat e tyre nëse kërkesat nuk u plotësohen nga qeveria.