GreqiVogëlushja 2-vjeçare me origjinë shqiptare, që ra në shatërvanin në zonën e Kallitheas një ditë më parë, ndodhet ende në gjendje kritike për jetën. Mediat greke raportojnë se këto 24 orët në vijim janë vendimtare për gjendjen e saj, ndërsa mjekët shprehen optimistë.

Sipas informacioneve, fëmija ndodhej në Sheshin e Qipros së bashku me prindërit. Në një moment dyshohet se i ka shpëtuar vëmendjes së tyre dhe, në rrethana ende të paqarta, ka rënë në shatërvan. Raportohet se vajza ka qëndruar pa ndjenja në ujë për disa minuta, deri sa u vu re nga kalimtarët.

Kalimtarët e nxorën fëmijën nga uji dhe u kryen përpjekje për ringjallje kardiopulmonare (CPR) për rreth 40 minuta.

Një dëshmitar okular, duke folur për emisionin “Kalimera Ellada”, përshkroi momentet dramatike: “Rastësisht po kaloja nga zona, pasi jetoj këtu. Në fillim nuk pashë askënd. Kur u ktheva, të gjithë ishin mbledhur. Kuzhinieri i një kafeneje po përpiqej ta sillte në jetë. Dëgjoheshin britmat e prindërve dhe fëmijëve. Një zonjë telefonoi në 166 dhe një makinë patrullimi që po kalonte u ndal për të ndihmuar.”

Prindërit e fëmijës, babai 26-vjeçar dhe nëna 23-vjeçare, janë arrestuar me akuzën e neglizhencës ndaj një të mituri.