Dy ndryshime të rëndësishme do të bëjë shteti grek në ligjin për emigracionin. Sipas mediave helene është dorëzuar sot në Parlamentin e Greqisë propozimi nga qeveria për ndryshime mbi ligjin e emigracionit. Dy janë ndryshimet kryesore që i përkasin edhe emigrantëve shqiptarë.

Pika e parë është që propozohet që t’u jepet mundësia shtetasve nga Shqipëria, të cilët pretendojnë se kanë origjinë greke dhe aplikojnë për për paisjen me Pasaportë Homogjeni, që nëse nuk arrijnë ta marrin këtë status, të mos dëbohen, por t’u jepet e drejta që të aplikojnë për Leje Qëndrimi (Adhia Paramonis). Pika e dytë është një ndryshim në detyrimin e emigrantëve për sasinë e detyrueshme të pagesës së kontributit të sigurimeve. Qeveria greke propozon që të ulet sasia e kontributeve.

Ndryshimi
“Rikthim të urdhëresës së vjetër që parashikon se shtetasit e Shqipërisë që kanë bërë kërkesë për paisjen me Pasaportë Homogjeni, por që nuk iu njihet e drejta përkatësisë greke, do t’u jepet mundësia që të aplikojnë për Leje Qëndrimi (Adhia Paramonis)”, thuhet tekstualisht në draftin e qeverisë greke për ndryshimin e ligjit për emigracionin. Ky ndryshim ka rëndësi të madhe për ata shtetasit shqiptarë që aplikojnë për për paisjen me Pasaportë Homogjeni. Ky dokument u jepet nga shteti helen emigrantëve që jetojnë në Greqi dhe që vërtetojnë që kanë preardhje greke.

Pasaporta e Homogjenit u jep shumë më tepër të drejta emigrantëve që jetojnë në shtetin fqinjë, pasi ata duke pasur këtë dokument trajtohen gati me të drejta të barabarta me vete shtetasit grekë. Por, sipas ligjit të mëparshëm nëse nuk e fitonin këtë të drejtë shtetasit shqiptarë që pretendonin prejardhje greke, duhet të dëboheshin nga Greqia, ndërsa tani ata mund të aplikojë për “Leje Qëndrimi”, dokument me të cilin paisen të gjithë shtetasit e huaj që kanë të drejtë të jetojnë e punojnë në shtetin helen.

Kriteret
Por, jo të gjithë atyre që u refuzohet Pasaporta e Homogjenit u lind e drejta për të kërkuar që të marrin Lejen e Qëndrimit. Projektligji i depozituar nga qeveria helene në Parlament ka parashikuar edhe kriteret që duhet të plotësojnë personat që përfitojnë nga ky ndryshim. “Për të pasur këtë mundësi ata duhet të plotësojnë këto kritere: Të kenë qëndruar të paktën për 3 vite në Greqi, të mos jenë ndjekur penalisht për përdorim informacioni të gënjeshtërt e për falsifikim të dokumenteve, të mos ndiqet penalisht për mashtrim dhe nëse ai nuk përbën rrezik për rendin e sigurinë.

Për të bërë kërkesë për Leje Qëndrimi (Adhia Paramonis), shtetasi shqiptar duhet që të ketë marrë më parë shkresën zyrtare me refuzimin final të paisjes me Pasaportë Homogjeni. Gjithashtu do të kenë të drejtë që të bëjnë kërkesës për Leje Qëndrimi edhe ata që janë refuzuar për Pasaportë Homogjeni për arsye të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara apo të ndryshuara, por që kanë marrë pafajësinë në mënyrë përfundimtare nga gjykata për këto shkelje. Kjo kategori duhet që ta bëjë kërkesën brenda 3 muajve nga marrja e pafajësisë”, thuhet në projektligj sipas mediave greke.

Sigurimet
 Një ndryshim që u përket të gjithë të huajve që punojnë në Greqi, pra edhe emigrantëve shqiptarë, është ai mbi siguracionet e detyruara. Sipas projektligjit që propozon qeveria greke sasia e sigurimit të detyruar ulet në krahasim me atë të mëparshme. “Të barazohet detyrimi për sigurimet të çfarëdolloj kategorie punëtori me atë të qytetarëve të vendeve të treat, të cilët punësohen në mënyrë të përkohshme në bujqësi”, thuhet në projektligjin e qeverisë helene.
 
Shkrimi u publikua sot (15.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)