TIRANE- I konsideruar si ‘shqiptari pushkatues’, Arbër Bako është vënë në prangat e policisë greke ditën e djeshme. Kanë qenë forcat speciale të policisë vendase, të cilat kanë zbuluar vendndodhjen e personit që sulmoi me armë rreth 100 persona në një lokal nate në Pire, në afërsi të portit.

Prej 5 ditësh, gjithë organet ligjzbatuese të Athinës janë vënë në kërkim të shqiptarit që tronditi mbarë vendin, ndërsa ditën e djeshme zbulimi ka ardhur në bazë të informacioneve të dhëna nga qytetarët, pasi kanë shquar fytyrën e personit më të kërkuar në Greqi.

EKAM ka rrethuar pallatin në të cilin ishte vendosur që mëngjesin e ditës së sulmit, Bako, dhe është bërë e mundur të sillet në pranga.

Ai tashmë akuzohet jo vetëm për sulmin në Pire, por edhe për një sërë sulmesh të tjera, një prej të cilëve është shënuar në qendër të Athinës, ku një shtetas grek ka humbur jetën. Gjithashtu, shqiptari, akuzohet edhe për dy sulme të tjera të ngjashme, të kryera më parë, në të cilat nuk janë shënuar viktima, por ka patur të plagosur.

Dyshimet 
Që pre të shtunës në mëngjes Arbër Bako, 31-vjeçari shqiptar, i cili njihej edhe me një identitet tjetër, Arben Glodiani, ka qenë personi më i kërkuar në të gjithë Greqinë. Duke hetuar ngjarjen e Pireut ekspertët kanë shquar ngjashmëri aktesh me sulmin me armë në lokalin e shqiptarit në qendër të Athinës dhe kanë fiksuar faktin se në dy ngjarjet janë përdorur armë të ndryshme. Ky fakt ka bërë që policia t’i druhet jo vetëm armatosjes së shqiptarit, por madje edhe faktit që ai mund të kishte edhe persona të tjerë me vete. Hetimet në lidhje me sulmin ndaj lokalit të shqiptarit, ku humbi jetën shtetasi grek ka nxjerr në pah se autori i sulmit me kallashnikov ka qenë i shoqëruar me një tjetër person.

Ose të paktën, dëshmitë nga vendi i ngjarjes, kanë parë se në drejtimin e mjetit nga ku është qëlluar ka qenë person tjetër dhe jo autori i sulmit. Njëkohësisht, prokuroria greke ka nisur hetimet për një sërë grabitjesh të dhunshme në Athinë, ku është përdorur thuajse i njëjti mekanizëm dhe se në këto akte që kanë mbetur pa autor deri më tani, agresori nuk ka qenë i vetëm. Kështu, hetimi vendas, tashmë përveç punës për të zbuluar sulmet që mbajnë autorësinë e shqiptarit me dy identitete, mësohet se ka nisur një punë intensive për të sjellë në pranga bashkëpunëtorët e shqiptarit. Hetimet janë fokusuar edhe në dyshime të forta se shqiptari pushkatues mund të jetë pjesëtar i ndonjë organizate kriminale në vend.

Identiteti i krimeve të shqiptarit 
Duke u bazuar në dëshmitë që janë mbledhur në të paktën katër vende ngjarjesh, ku një person i armatosur gjuan mbi turmë, hetimi grek ka arritur në përfundimin se personi ka prirje terroriste. Ky fakt përforcohet edhe nga shprehjet konkrete, njësoj në të katër ngjarjet, pasi autori kërkon jo vetëm të derdh gjak, po iu drejtohet shënjestrave të veta me shprehjen se: Sonte do të vdisni.

Referuar të dhënave të hetimit mësohet se shqiptari, në të katër rastet ku ka gjuajtur me breshëri kallashnikovi, ka në veçanti. Ai më përpara hyn në atë ambient që ka vënë në shënjestër, konfliktohet me një person e çdo dhe më pas largohet për pak minuta, derisa kthehet dhe gjuan.

Edhe në rastin e sulmit ndaj lokalit të shqiptarit, dyshohet se ka qenë më parë në lokal ku është konfliktuar me një klient. Më pas është larguar dhe është kthyer rreth një orë me vonesë duke shkrehur gjitha karikatorin e armës mbi lokalin. Po të njëjtën skemë ka përdorur edhe në Pire; ka hyrë në lokal, ëshntë konfliktuar me dy shtetase të huaja dhe më pas ka dalë për t`u kthyer me kallashnikov në dorë. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)