Një pjesë e fermerëve grekë e kaluan festën e Krishtlindjes në pikat e bllokimt që kanë ngritur nëpër akset rrugore të vendit ndërsa disa prej akseve vijojnë të jenë të bllokuara. Këtë të premte ata vijojnë të qëndrojnë aty ndërsa qarkullimi është liruar pjesërisht në disa akse për shkak të ditëve festive.

Lëvizjet në pikën kufitare të Kakavijës sipas një njoftimi të policisë kufitare do të jenë të pamundura për shkak të bllokimit që sot në mbrëmje do të bëhet nga ora 18:00-21:00 (me orën shqiptare) në aksin rrugor Kakavijë-Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq.

Ndërkohë, për përfaqësuesit e fermerëve, lehtësimi i lëvizjes nuk do të thotë një dorëzim, ndaj nesër, të shtunën, ata do të vendosin se si do të vazhdojnë protestat pas festave.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në mesazhin e tij dërguar fermerëve disa ditë më parë tha se qeveria e tij nuk do të bjerë pre e shantazhit duke vënë në dukje mundësitë për zgjidhjen e kërkesave të dërguara nga fermerët dhe blegtorët.

Deri më tani, 20 nga 27 kërkesa ose janë përmbushur, ose janë në proces zgjidhjeje. Fermerët deri më tani kanë refuzuar të kryejnë një takim me kreun e qeverisë së Athinës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:00
Greqia e ‘paralizuar’ nga protestat, aksi Kakavijë-Janinë i pakalueshëm nga ora 18:00-21:00

1764933687_greqi.jpg

Foto: Rrugë e bllokuar nga fermerët grekë

Për shkak të protestës që zhvillojnë fermerët në Greqi, aksi rrugor Kakavijë-Janinë nuk do të jetë funksional për qarkullimin e automjeteve nga ora 18:00 deri në orën 21:00 (me orën shqiptare).

Policia e kufitare e Kakavijës bën me dije se do të lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve për emergjenca shëndetësore.

“Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë-Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore”, njoftoi sot policia.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.

Ata janë të vendosur të vazhdojnë dhe të intensifikojnë protestat e tyre nëse kërkesat nuk u plotësohen nga qeveria.