Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për “France24” në emisionin “Këtu Europë”, foli për ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë si dhe për paralajmërimin e Greqisë për të bllokuar procesin për shkak të çështjes “Beleri”.

Duke komentuar bllokimin nga Greqia të letrës së 27 vendeve anëtare për hapjen e kapitujve për shkak të çështjes “Beleri”  Rama u shpreh se bllokimi për këtë çështje nuk do të qëndrojë pasi nuk do të ishte serioze.

Unë nuk dua t’i futem kësaj polemike. Sinqerisht nuk besoj se ky bllokim do të qëndrojë, sepse nuk do të ishte serioze. Nga ana tjetër, është vetëm çështje e  drejtësisë. Nëse shikoni raportin e progresit, Shqipëria vlerësohet vërtet mirë për çështjet e reformës në drejtësi. Unë jam shumë i kënaqur sepse Shqipëria është vendi më i përparuar në të gjithë Ballkanin për këto çështje. 
 Dëgjoni, me Athinën kemi marrëdhënie strategjike dhe nga ana tjetër, kur flisni për minoritet grek, dua të saktësoj sikurse e thatë, kandidati ishte shqiptar me origjinë greke, edhe kundërshtari i tij në zgjedhje ishte po ashtu shqiptar me origjinë greke. Atëherë s’mund të jetë një çështje minoriteti grek kjo!

Kryeministri Edi Rama u ndal dhe te marrëveshja me Italinë në lidhje me emigrantët. Rama  tha se qendrat e pritjes janë një praktikë që përdoren nga të gjitha vendet e BE-së dhe nuk ka asgjë të jashtëzakonshme.

Fakti që kjo  marrëveshje bëhet me një vend jo anëtar shkakton, jo vetëm lajm, por dhe teori konspiracioni dhe dyshime që nuk janë serioze, për mua. Bëhet fjalë për një qendër pritjeje që është standard në të gjitha vendet e BE”,

Më tej, kryeministri ka deklaruar se nuk kemi pse të skandalizohemi, pasi Shqipëria është një vend plotësisht europian dhe thjesht po i japim një ndihmë një vendi fqinj me të cilin kemi lidhje prej një kohe të gjatë.

Nuk bëhet fjalë për 36 000 njerëz, por për një qendër pritjeje me 3000 vende në dispozicion. Kjo do të thotë që do të ketë 3000 njerëz në Shqipëri dhe asnjë më tepër, nëse ka rotacion kjo është diçka normale, mund të ketë më tepër njerëz që priten dhe të cilëve u shqyrtohet kërkesa në Shqipëri. Dhe nuk mendoj se këta 3000 njerëz do të tronditin industrinë e turizmit. Sepse kemi strehuar tashmë 4000 e ca afganë…”,

Rama u pyet edhe për  hapjen e negociatave me Ukrainën, një vend në luftë me Rusinë, si dhe për problemet mes Serbisë dhe Kosovës 

 Duhet pritur deri në fund sepse nuk është ende zyrtare. Ka shqetësime dhe duhet parë se si do të zhvillohen gjërat sepse konflikti i ri në Lindjen e Mesme nuk ndihmon. Nga pikëpamja gjeopolitike do të ishte vetëvrasje për Bashkimin Evropian nëse do të përjashtonte rajonin apo disa vende.

Kryeministri u ndal edhe te zhvillimi i ekonomisë, ndërsa u shpreh i kënaqur me faktin që ekonomia shqiptare konsiderohet nga institucionet financiare ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, si një ekonomi me rezistencë të veçantë.