Kryeministri Rama i ka konsideruar si 'llum nacional-folklorik' të gjitha reagimet që kanë ardhur në Tiranë pasi Greqia miratoi dekretin për zgjerimin me 12 milje në detin Jon, nga pjesa veriore e ishujve deri në kepin Tainaro.

Kryeministri Rama shkruan se pas rrëzimit të marrëveshjes së 2009 tashmë Greqia dhe Shqipëria kanë rënë dakord për t'iu drejtuar gjykatës ndërkombëtare.

"Llumi nacional-folklorik i politikës shqiptare pa kufij, pa din e iman, është derdhur sërish në oqeanin digjital përmes shpifjes së madhe të "shitjes së detit" Greqisë! Këtë marrëzi ekstreme për përfitime politike mund ta besojnë vetëm ata që s'duan të dëgjojnë e as të kuptojnë! Pas rrëzimit të marrëveshjes famëkeqe të 2009 dhe mosmarrëveshjes që pasoi, ne kemi arritur më në fund dakordësinë me palën greke që delimitimin e kufirit tonë detar ta çojmë në Gjykatën Ndërkombëtare! Shtrirja 12 milje e Greqisë në Jon s'ka lidhje me zonën joniane mes nesh", shkruan Rama në Tëitter.

Ndër të tjera Kryeministri nënvizon se e drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur dhe jo aty ku s'ka mundësi, siç është rasti në zonën mes nesh ku vija ndarëse do të vendoset me gjyq!

"Greqia e ka ushtruar këtë të drejtë së fundmi, fiks siç e ka ushtruar Shqipëria qysh në vitin 1990! Të tjerat janë dokrra! Jetojmë në shekullin XXI dhe në mes të Evropës, ku nuk mund të "shiten" e "blihen" dot dete e territore as fshehurazi, as haptazi nga asnjë autoritet i veçantë! Këto mund të ndodhin vetëm në batakun e ligësisë e të injorancës, ku llumi i shqiptarisë gjen shesh për përsheshin e tij", vijon Rama.

Në fund ai publikon edhe dokumente që pasqyrojnë se si Shqipëria e ka bërë shtrirjen e saj me 12 milje detare vite më parë. 

"Ja edhe dokumentat e vitit 1990 kur Shqipëria bëri fiks këtë që bëri Greqia sot dhe që është në fuqi sot e gjithë ditën në regjistrin e OKB! As pala greke s'kishte çfarë kontestonte atëherë, as ne s'kemi çfarë kontestojmë sot tek vendimi i Greqisë! Lëreni llumin në batakun e vet!", përfundon Kryeministri. 

Në Greqi ditën e Krishtlindjes është miratuar dekreti për zgjerimin me 12 milje në detin Jon. Ky vendim është marrë nga Këshilli i Lartë i Shteti. Mediat greke e interpretojnë këtë lëvizje si  një mesazh drejtuar Turqisë. Dekreti përfshin hapësirën në zonën veriore të detit Jon, të ishujve të Jonit e deri në Kepin e Tenaro në Peloponez.

Ky vendim i Greqisë solli një sërë reagimesh në Shqipëri nga eksponentë të opozitës, të cilët e kanë konsideruar si një përmbushje të axhendës greke në dëm të Shqipërisë. 

Për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, është rënë dakord gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, në Tiranë, dhe takimit që ai pati me kryeministrin shqiptar, që të shkohet në një gjykatë ndërkombëtare.