TIRANË- Nisur nga rritja e shifrave ditore të COVID-19  në vendin tonë, Greqia ka shtyrë kufizimet me Shqipërinë!

Për pasojë Pika e kalimit kufitar në Kapshticë do të vijojë që të qëndrojë e mbyllur deri më 22 shkurt. Mjetet si autobusë, taksi, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, nuk do të lejohet të kalojë.

“Autoritetet e Policisë Greke, në vijim të masave të marra nga qeveria greke mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, kanë njoftuar palën shqiptare për shtyrjen e afatit të bllokimit të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, deri në datën 22.02.2021.

Deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, vijon të jetë e mbyllur.

Ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë (kamiona mallrash). Mjetet si autobusa, taksi, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, nuk do të lejohet të kalojë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ndërkohë pika kufitare e Kakavijës vijon të punojë nga ora 07:00 deri në 23:00 me një kuotë ditore prej 750 kalimesh.