Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi e ka cilësuar vendosjen e tabelave në gjuhën greke, si një provokim ndaj Shqipërisë. Në reagimin zyrtar, PDIU i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe Qeverisë që të ndërhyjnë në kohë për t'i dhënë fund këtij skandali, që e cilësojnë si më të rëndin në 30 vitet e fundit.

Në rast se nuk do të ndërhyhet, thuhet më tej një njoftim, atëherë do të të tregohet se shteti ka gisht në cenimin e sovranitetit të vendit.

"Vendosja e tabelave në greqisht në gjithë zonën e Sarandës, Delvinës e Konispolit , Finiqit e Dropullit përbën kapitullimin e plotë të shtetit shqiptar dhe një provokim të paprecedentë ndaj kombit tonë.Rilindja e pretendimeve “vorioepirote” nën hundën e qeverisë Rama përbën skandalin më të rëndë të 30 viteve të fundit.

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ndan shqetësimin e sarandiotëve, delvinjotëve, konispolatëve por dhe Finiqit e Dropullit e çdo shqiptari që po sheh ditën me diell mosveprimin e turpshëm të qeverisë e prokurorisë përballë akteve të rënda kundër sovranitetit kombëtar.Nëse qeveria shqiptare nuk ndërhyn në kohë, tregon se ka gisht në cënimin e sovranitetit të vendit. Çdokush të jetë i qartë se shqiptarët nuk do të rrinë duarkryq përballë këtij skandali dhe për pak ditë, kjo shëmti do t’i përkasë historisë!

PDIU i bën thirrje kryeministrit Rama, prokurores Marku, ministrave Lleshaj dhe Cakaj, të mos bëhen bashkëpunëtor të Jorgji Zografit, përpara se të jetë vonë!Greqishtja është gjuhë e dytë vetëm në Finiq e Dropull dhe atje tabelat duhen fillimisht në gjuhën shqipe, pastaj në greqisht. Ndërsa vendosja e tabelave greqisht në zonat e tjera, është e palejueshme dhe duhet urgjentisht ndërhyrja e Prokurorisë dhe Qeverisë", shkruan PDIU.