Eros Grezda është prezantuar sot zyrtarisht te klubi i Osijek në Kroaci, aty ku futbollisti i kombëtares shqiptare shkëlqeu para se të firmoste me Rangers. Të hënën skocezët pranuan ofertën e klubit kroat, që në dispozicion të Rangers ka vendosur një pjesë të kartonit të 24-vjeçarit në rast se shitet në të ardhmen.
Në prezantimin para mediave Grezda është shprehur: “Kam pasur disa oferta, si nga shtete të tjera ashtu edhe nga Kroacia. Madje kisha edhe oferta nga nga konkurrentët në këtë kampionat. U interesuan për të marrë shërbimet e mia edhe Hajduku me Rijekën, por unë vendosa të vij këtu.”
Përveç Grezdës zhvillime ka edhe për një tjetër futbollist të kombëtares. Bëhet fjalë për ish-portierin e Laçit që në verë u transferua te klubi i ligës së dytë turke Menemenspor. Është trajneri i skuadrës ai që ka zbuluar ofertat për 21-vjeçarin shqiptar. Në një intervistë për mediat turke ai është shprehur:
‘Për Selmanin klubi ka oferta nga Italia dhe Gjermania, por ne kemi vendosu se do të qëndrojë këtu’.
Në verë pas katër sezonesh te Laçi Selmani u transferua në Turqi, aty ku duklet se I është dashur shumë pak kohë për të rënë në sy.