VLORE- Reparti i Pediatrisë pranë Spitalit Rajonal Vlorë është i ngarkuar këto ditë për shkak të shtimit të vizitave ditore. Sipas mjekes pediatre, Rina Llanaj, virusi që po qarkullon aktualisht tek fëmijët është gripi i tipit A dhe B. Virusi A ka përhapje më të shpejtë dhe shkakton simptoma më të forta, si temperaturë e lartë, kollë e thatë, dhimbje koke dhe dhimbje muskujsh.

“Kemi brenda 24 orësh rreth 70 vizita. Një pjesë e fëmijëve hospitalizohen, ndërsa të tjerët vazhdojnë trajtimin në shtëpi me terapi ambulatore. Pasi marrin recetën, fëmijët vazhdojnë mjekimin në shtëpi, ndërsa rastet me komplikacione trajtohen në Repartin e Pediatrisë,” tha shefja e pediatrisë, duke shtuar se: “Ky virus shkakton temperaturë të lartë, 39-40°C, që shpesh nuk ulet me paracetamol ose ibuprofen. Ai shoqërohet me kollë të thatë dhe është më i rrezikshëm për fëmijët me sëmundje kronike, si ato kardiake ose diabet.”

Mjekja bën apel për kujdes të shtuar nga prindërit, veçanërisht kur fëmijët paraqesin temperaturë të lartë dhe rezistente.

“Temperatura e lartë duhet të menaxhohet, por prindërit nuk duhet të shqetësohen për temperaturë 38°C. Shqetësim i madh është kur temperatura rritet mbi 39°C, dhe atëherë duhet të drejtohen tek mjeku në Poliklinikë ose Spital. Prindërit duhet t’u japin fëmijëve sa më shumë lëngje natyrale, qumësht dhe kos, duke shmangur lëngjet e paketuara,” thekson ajo.