Një botim shkencor austro-hungarez i fillimit të shekullit XX sjell një dëshmi të rrallë për jetën në zonën e Amantias dhe fshatrave përreth në vitin 1900. Në veprën Das Sandschak Berat in Albanien, studiuesi Carl Patsch përshkruan jo vetëm gjurmët arkeologjike që kërkonte gjatë ekspeditës, por edhe sofrat, këngët, mjekësinë popullore, fenë, gratë, varfërinë dhe bisedat politike të shqiptarëve që takoi gjatë udhëtimit. Udhëtimi u zhvillua në pranverën e vitit 1900, ndërsa studimi u botua në Vjenë më 1904 nga Akademia Perandorake e Shkencave.
***
Mbrëmjet i kalonim në Plloçë, në selamllëkun e kryeplakut të fshatit, Demir Abasit, në një dhomë të madhe e të ajrosur, e cila shërbente edhe si dhomë fjetjeje për të gjithë shokët e udhëtimit. Vakti kryesor hahej në mbrëmje. Nga ena e përbashkët, e vendosur mbi një tryezë shumë të ulët e të rrumbullakët, merrte kushdo që ndodhej aty; dhe kishte vërtet shumë të pranishëm, sepse Abasi dhe e shoqja nuk kurseheshin, ndërsa mysafirët e huaj i paguanin të gjitha.
Pasi “ngrihej” dhe hiqej “sofra”, mblidheshim pranë oxhakut, që ndodhej gjithmonë në anën e ngushtë të dhomës së pritjes, sepse pas një shiroku të fortë, i cili e kishte bërë ecjen pothuajse të pamundur, ishte bërë akull ftohtë. Afërsia e zonave me dëborë të Kudhësit ndihej qartë. Kafeja, cigaret e ofruara me bujari dhe shtambat e verës që qarkullonin njëra pas tjetrës me shpejtësi ua zgjidhnin gjuhën të pranishmëve. Salihu ynë, njerëzit e eskortës dhe mysafirë të paftuar e të ftuar këndonin këngë, të cilat shënoheshin me kujdes.
I nxitur nga biseda, edhe një mjek fshati, burrë i mirë, tregoi për mjeshtërinë e tij. I gjithë instrumentari i tij përbëhej nga një pincë e ndryshkur, e cila megjithatë përdorej shpesh, sepse thyerjet dhe copëzimet e kockave shkaktoheshin nga gurët e hedhur, të cilët miqtë tanë pritës dinin t’i përdornin me shumë mjeshtëri si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Nga recetat e plakut të sjellshëm po përmendim njërën.
Në rast se do të na zinte pneumonia, ai këshillonte së pari gjaknxjerrjen. Nëse kjo nuk jepte efekt, atëherë mjeti i mëposhtëm ishte, sipas tij, më i miri nga të gjithë: ndizet një zjarr i fortë; toka e nxehur laget me ujë të ftohtë që të krijohet avull, dhe mbulohet me një shtresë kashte ose plehu dhish dhe me një...
Në gjykimet për administratën turke njerëzit tregoheshin pak të përmbajtur; këtu, ashtu si edhe në vende të tjera, u shfaq një kundërvënie që më parë nuk kishte ekzistuar ndërmjet shqiptarëve vendas dhe osmanëve të ardhur. Biseda kaloi edhe te politika botërore. Të gjithë interesoheshin me këmbëngulje për zhvillimet në teatrin e luftës në Afrikën e Jugut. Se kujt i përkisnin simpatitë e tyre, nuk ka nevojë të thuhet.
Mbrëmjen pasuese e mbushën më shumë pyetjet dhe kërkimet për çështje vendore. Krahina që mbante emrin e malit Kudhës përfshinte vendbanimet Plloçë, Sevastër, Golimbas, Mazar, Shkozë dhe Dushkarak (i quajtur edhe Preveni), me gjithsej 525 shtëpi.
Banorët janë të gjithë të besimit mysliman, por, si të gjithë toskët dhe labët - një pjesë e të cilëve ishin konvertuar vetëm në kohën e Ali Pashës - janë fetarisht mjaft indiferentë. Kjo mospërfillje ndaj normave të Kuranit shfaqej edhe në mënyrë të dukshme në krahinën e Kudhësit, pasi gjatë gjithë udhëtimit tonë nuk pamë asnjë xhami dhe nuk pamë askënd të falej.
Vera pihej hapur dhe në sasi të mëdha. Gratë dhe vajzat, ndër të cilat - pavarësisht zakonit përgjithësisht mysliman, që Patsch e përshkruan me përçmim, për të lyer flokët dhe thonjtë me të kuqe - nuk mungonin ato me pamje tërheqëse, ecnin të pambuluara, bisedonin me të huajt dhe lejonin që të shihej edhe jeta e brendshme e shtëpisë.
Që në hyrjen tonë në fshat, ato na ofruan monedha për t’i blerë. Në mëngjes patëm mundësi të shihnim përgatitjen e gjalpit dhe përdorimin e një mulliri dore (mokër), i cili paraqitet këtu në figurën 41, pasi gjen analogjitë e tij më të afërta te vendbanimet e lashta të rrënuara dhe, në këtë mënyrë, dëshmon vazhdimësinë e pajisjeve primitive.
Ai përbëhet nga dy gurë gëlqerorë të rrumbullakët; guri i poshtëm mban një kunj prej druri, rreth të cilit rrotullohet guri i sipërm, i shpuar në mes, me anë të një doreze që futej çdo herë në një zgavër të cekët. Në vrimën e gurit të sipërm hidheshin misër, drithë, kripë etj., ndërsa mielli i trashë dilte nga hapësira ndërmjet dy gurëve.
Popullsia është përtace, e varfër dhe e kënaqur me pak, e dobët në trup por e fortë dhe e qëndrueshme, mbi gjatësinë mesatare, me lëkurë të errët, flokë kafe të errët dhe sy po të tillë.
Familjet me shumë fëmijë hasen rrallë. Si një rast i pazakontë na u përmend familja e mikpritësit tonë Abbas, babai i të cilit kishte 16 fëmijë - 11 djem dhe 5 vajza - prej të cilëve 13 jetonin ende në shtëpi.
Më 30 prill mendonim të shkonim në Shkozë, pranë Vjosës, dhe prej andej të ktheheshim në Vlorë nëpërmjet Prevenit, sepse në vendin e parë ishte vërtetuar ekzistenca e një vendbanimi antik nga dy objekte të mëposhtme, të cilat, sipas zotit Server Vlora, ishin gjetur atje ndërmjet mureve dhe trungjeve të kolonave, bashkë me disa statuja të vogla prej guri, tashmë të humbura, dhe me një kokë mermeri, po ashtu tashmë të humbur. Këto objekte ndodhen aktualisht në pronësi të familjes Vlora në Vlorë./ TemA








Komente
Komento