Kancelari gjerman, Friedrich Merz, thotë se do të përpiqet të takohet me Donald Trump të mërkurën në Davos, teksa sipas tij, tarifat doganore me të cilat presidenti amerikan ka kërcënuar vendet evropiane që dërgojnë trupa ushtarake në Groenlandë, nuk i sjellin dobi askujt.
“Ne nuk e duam këtë përshkallëzim. Ne nuk duam një mosmarrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Merz deklaroi se SHBA-të dikur kishin mbi 30,000 ushtarë në Groenlandë, por aktualisht ka më pak se 200.
Ai theksoi se kërcënimet nga vetë Shtetet e Bashkuara nuk është aq dramatike sa po paraqiten.
“Situata e sigurisë mund të bëhet më e vështirë, dhe meqenëse ky është territor evropian i NATO-s, ne kemi interes ta mbrojmë edhe këtë zonë”, shtoi Merz.
Ai nënvizoi gjithashtu se dërgimi i kontingjenti të vogël ushtarak francez në Groenlandë, u diskutua paraprakisht në Këshillin e NATO-s në prani të përfaqësuesit amerikan.
"Pra, nuk ishte surprizë për qeverinë amerikane që kjo po ndodhte. Ishte njoftuar, ishte rënë dakord… nuk ishte kurrë një veprim ushtarak", shtoi ai.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se mund të vendosë tarifa doganore ndaj vendeve që nuk mbështesin planet e tij për të marrë nën kontroll Grenlandën, pjesë e territorit të shtetit të NATO-s, Danimarkës.
“Mund të vendos një tarifë ndaj vendeve nëse nuk bashkëpunojnë për Groenlandën, sepse na duhet Groenlanda për sigurinë kombëtare”, tha Trump gjatë një tryeze të rrumbullakët për sektorin e shëndetësisë të organizuar në Shtëpinë e Bardhë.
Trump e krahasoi mundësinë e vendosjes së tarifave doganore me ato që kishte kërcënuar vitin e kaluar se do t’i vendoste ndaj Francës dhe Gjermanisë për shkak të çmimeve të produkteve farmaceutike.
Udhëheqësi amerikan po intensifikon përpjekjet për të marrë nën kontroll ishullin autonom arktik.
Trump argumenton se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën e pasur me minerale dhe e ka akuzuar Danimarkën se nuk po bën mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e saj kundër rivalëve të SHBA-së, Rusisë dhe Kinës.
Vendet evropiane, që janë anëtare të NATO-s, ditëve të fundit kanë shprehur mbështetjen e tyre për Danimarkën dhe Groenlandën, pas kërcënimeve në rritje nga Trumpi, përfshirë edhe duke dërguar trupa në këtë territor strategjik.
Komente






