Ish-kryeministri në arrati i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, ka reaguar për herë të parë pas paralajmërimeve të Shkupit për ekstradimin e tij, duke kërkuar hetim të proceseve gjyqësore ndaj tij dhe duke akuzuar qeverinë e kaluar për përndjekje politike.

Në një reagim publik, ai i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të shqyrtojë, sipas tij, padrejtësitë dhe procedurat e montuara gjatë kohës së Zoran Zaev, në vend që të vijojë me procedurat për ekstradim.

“Nuk duket se  LSDM-ja e kriminelit Zaev me urrejtjen e tij dhe metodat e ndyra ka ikur nga pushteti. I propozoj ministrit që po ashtu seriozisht të hetojë keqpërdorimet dhe procedurat jo ligjore gjatë përndjekjes politike gjatë viteve të Zaevit, procedurat e montuara gjyqësore dhe padrejtësitë që i ka bërë që të mundet më lehtë të qeverisë. Le të mbledhë informata për një sërë dëshmitarësh ose të akuzuar të cilët me shantazh jo ligjor dhe kërcënime është dashur të japin deklarime dhe dëshmi të rreme”,,” shprehet Gruevski, duke pretenduar se ndaj tij janë përdorur dëshmi të marra nën presion dhe shantazh.

Ai mohon akuzat dhe këmbëngul se proceset ndaj tij kanë qenë të motivuara politikisht, ndërsa shton se në atë kohë është vendosur se kush do të ndiqej penalisht.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë thekson se procedura për ekstradim po ndiqet në mënyrë institucionale dhe në bashkëpunim me autoritetet hungareze. Sipas saj, mbledhja e informacioneve nga gjykatat synon krijimin e një baze të saktë juridike, ndërsa nënvizohet se vendimet e formës së prerë nuk mund të rishqyrtohen.

"Sa i përket rastit me Nikolla Gruevskin, ndërmerren të gjitha hapat e nevojshme për kompletimin e dokumentacionit dhe procesimit në korniza të procedurës ligjore. Mbledhja e informacioneve nga Gjykatat kompetente ka për qëllim të sigurojë bazë të saktë juridike për veprim të mëtutjeshëm. Ministria nuk ka kompetenca të rishqyrtojë vendimet e plotfuqishme gjyqësore por është e obliguar të veprojë ndaj tyre”, tha Ministria e Drejtësisë" thuhet në një reagim të sajin.

Autoritetet maqedonase kanë paralajmëruar se kërkesa zyrtare për ekstradim pritet të dërgohet pas formimit të qeverisë së re në Hungari.

Nikolla Gruevski ka qenë kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016 dhe drejtues i VMRO-DPMNE-së, parti që u rikthye në pushtet në vitin 2024 pas disa vitesh në opozitë.

Në maj të vitit 2018 ai u dënua me dy vjet burg në rastin “Tenk”, që lidhej me prokurimin e një automjeti të blinduar “Mercedes” me vlerë rreth 600 mijë euro. Rasti doli në dritë pas publikimit të përgjimeve në vitin 2015, ku ai kërkonte blerjen e mjetit për përdorim personal, pa u bërë publike.

Ndaj tij janë zhvilluar edhe procese të tjera gjyqësore. Në vitin 2020 u dënua në mungesë me një vit e gjysmë burg për dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, ndërsa në vitin 2022 u dënua në shkallë të parë me shtatë vjet burg për çështjen “Parcelat në Vodno”, që lidhet me pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Po ashtu, në të njëjtin vit, Departamenti i Thesarit i SHBA-së e përfshiu në listën e sanksioneve për korrupsion, së bashku me kompaninë e tij në Hungari.