VLORË- Përplasja mes dy biznesmenëve, Vasil Bedinaj (me disa hotele në Vlorë) dhe Luan Muca, dje në hotelin e Bedinaj “Regina Palm Resort” në Radhimë, çoi në pranga 5 persona, përfshirë biznesmenin e njohur të Delta Group, dhe Deutsch Color, Luan Muça, dhe 3 persona nga grupi i tij, dhe një nga grupi i Bedinaj. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Policia e Vlorës ka shpallur në kërkim edhe vëllanë e Muçës, ish-deputetin e PDIU Bujar Muça, roli i të cilit ende nuk dihet.
E gjithë përplasja mes dy biznesmenëve të njohur Muça dhe Bedinaj ka nisur në orën 11:30 të 3 shtatorit. Pasi Luan Muça mbërriti me grupin e armatosur në ‘Regina Palm’ në Radhimë të Vlorës është futur brenda në ambientet e resortit, ku Bedinajn e ka gjetur të ulur në një tavolinë. Report Tv solli edhe pamjet nga kamerat e sigurisë që treguan momentin kur Bedinaj rrethohet nga personat e armatosur.
Palët kanë dhënë deklarime të ndryshme në polici, ndërsa hetimet janë të hapura edhe për konflikte të tjera mes dy biznesmenëve, duke mos përjashtuar ato për prona në zonat bregdetare në jug. Në dëshminë e dhënë grupit hetimor, biznesmeni Bedinaj ka pretenduar se pronari i Delta Group i ka vendosur 5 mln euro gjobë dhe i ka kërkuar “të zhduket” nga Shqipëria brenda 48 orëve.
Bedinaj mësohet se ka deklaruar se grupi i armatosur i Luan Muçës, nuk ka lejuar punonjësit e tjerë të stafit t’i afrohen, duke i kërcënuar, ndërsa vetë ai pretendon se është qëlluar në kokë.
“Mendova se do të takoheshim për çështje biznesi, pasi ai merret me hidrosanitare. Ndërkohë që kam qenë vetëm në ‘Regina Palm’, Luani ka ardhur dhe ka thënë: ‘Dua 5 milionë euro dhe ke afat 48 orë të zhdukesh nga Shqipëria’. Më pas, m’u afruan shumë persona dhe nuk më linin të çohesha. Punonjës të tjerë të stafit janë mbajtur nën kërcënimin e armës që të mos afroheshin. Disa prej truprojave të tij më qëlluan në kokë”, ka dëshmuar ai.
Por ndryshe nga Bedinaj që pretendon për gjobëvënie, biznesmeni tjetër i mohon këto akuza. Në deklaratën e parë që ka dhënë në spital, mësohet se Luan Muça ka pretenduar se “nuk kam vendosur gjobë”. Biznesmeni bashkë me dy të arrestuarit e tjerë, Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, pronar në kompaninë e sigurisë “Swat Security", kanë dëshmuar se konflikti me Bedinajn lidhet me një çështje pronësie, por Bedinaj e mohon.
Të njëjtin qëndrim mbajti dje për mediat edhe mbrojtja e Luan Muçës, sipas së cilës takimi ishte për tu sqaruar “lidhur me një investim në bregdetin e Jugut ku palët kanë pretendime për ligjshmërinë e dokumentacionit”. Grupi hetimor po verifikon disa pista, përfshirë këtu pretendimin e Bedinajt për gjobëvënie si edhe ndonjë konflikt të mundshëm pronësie, që është artikuluar edhe në disa media.
Ka qenë vetë Bedinaj që ka njoftuar policinë për ngjarjen dhe më pas grupi i armatosur, punonjës sigurie të “Swat Security”, bashkë me Luan Muçën janë larguar nga vendi i ngjarjes. Në dalje, njeriu i Bedinaj ka qëlluar me armën me leje që mbante Bedinaj ndaj makinave, duke lënë gjurmë plumbash në të paktën një prej tyre, Range Rover që u kap në Fier drejtuar nga Blerim Heta një shtetas i Kosovës, i cili u vu në pranga. Në këtë makinë janë gjetur edhe njolla gjaku dhe policia dyshon për një të plagosur me armë.
Luan Muça, siç thonë burime për Report Tv, fillimisht ka ikur nga resorti me “Audi A8” që u gjet i djegur në Radhimë. Më pas ka ndërruar makinë dhe bashkë me dy pronarët e “Swat Security” u larguan me një Range Rover të zi luksoz. Policia e pikasi mjetin në zonën e quajtur Rrethi i Alikokës, por biznesmeni 55-vjeçar Luan Muça bashkë me 2 të tjerët kanë refuzuar urdhrin e policisë për të ndaluar dhe janë larguar. Në tentativë për tu arratisur, mjeti Range Rover u përplas dhe Luan Muça dhe Mandrit Lleshaj përfunduan në spital.
Ish-deputeti Bujar Muça
Policia e Vlorës ka shpallur prej ditës së djeshme në kërkim edhe ish-deputetin e PDIU Bujar Muça, vëllai i Luan Muçës së Delta Group. Ende nuk dihet se cili ka qenë roli i Bujar Muçës në gjithë këtë ngjarje. Dyshohet se edhe një person ka mbetur i plagosur, pasi grupi hetimor ka gjetur njolla gjaku në një prej makinave të sekuestruara. Por gjithsesi grupi hetimor po interesohet në spitale pranë Fierit, Vlorët apo në Tiranë nëse është paraqitur dikush i plagosur. Nuk përjashtohet as mundësia që dikush të jetë lënduar nga xhamat në makinë.
-
E keni vene re qe po duan ta kalojn si dicka normale ? Ashtu ndodhi nje sherr por po e zgjidhim, ska asgje.
Përgjigju -
Si mund te pretendosh sherbim te mire ne Palase kur pronaret jane gango?
Përgjigju -
Deputet i ciles parti?
Përgjigju-
Perfaqesonte PDIU ne Elbasan por nje kohe te shkurter sepse dha doreheqjen
-










Komente
Komento