TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet nesër në orën 11:00 në Pallatin e Brigadave. Mbledhja do të nisë me fjalën e kryesocialistit Edi Rama dhe më pas do të vijohet me një prezantim të punës nga ministrat për dikasteret që ata mbulojnë. Sipas axhendës, ministrat do të kenë 7 minuta kohë në dispozicion për të prezantuar raportet e tyre.
Ndonëse nuk është në axhendë, PS pritet të vendosë nesër edhe mbi fatin e zv.kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK kërkon autorizim për arrestimin. Pritet të shihet qëndrimi i socialistëve, ndonëse pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve i dhanë sinjalet se me gjasë nuk do t’ia heqin Ballukut imunitetin e deputetes, pasi sipas tyre masa e pezullimit nga detyra është e mjaftueshme për drejtësinë që të hetojë pa pengesa zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në këtë pikë, mazhoranca dhe opozita vijnë me qëndrime të kundërta. Për Partinë Demokratike e cila brenda javësh do të përgatisë një raport paralel, mazhoranca po bëhet mburojë e Ballukut e po pengon drejtësinë.
Fatin e Belinda Ballukut do ta vendosë Kuvendi me shumicë socialiste, i cili do të duhet të zgjedhë mes dy raporteve, atij të opozitës për lejimin e arrestimit të Ballukut, apo një qëndrimi të socialistëve që i qartë do të mësohet vetëm të enjten. Vendimin pro apo kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, Kuvendi pritet ta marrë në një prej 2 seancave të ardhshme plenare, 5 ose 12 mars.

Kliko këtu për të lexuar axhendën e plotë
Komente








Te shikojme arritjet e ARRSH dhe Ballukut.
Përgjigju