Më 17 nëntor Shqipëria do të çelë grup-kapitullin e fundit të Integrimit me Bashkimin Evropian, “Bujqësia dhe Kohezioni”.
Lidhur me këtë deputeti i Partisë Socialiste, Erion Malaj, i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, tha se Bashkimi Europian vlerëson reformat që janë bërë vitet e fundit, ndër to edhe lufta kundër korrupsionit.
Malaj theksoi se qeveria do të vijoi punën deri në arritjen e objektivit final, që është futja e vendit në BE.
‘BE ka parë reforma që janë bërë këtu, nuk janë perfekte por po përpiqemi maksimalisht përfshirë edhe në lidhje me reformën në drejtësi. Sepse sot ka prej vitesh hetime të rangjeve të ndryshme dhe kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë më parë. BE mendon se Shqipëria ka arritur standardet dhe mbështet kryeministrin Rama dhe këtë vendin. Ne kemi bërë detyrat tona. Do të çelet edhe grupkapitulli i fundit dhe jemi në pikën ku nuk kemi qenë asnjëherë më parë dhe të çojmë para ato që kemi nisur deri në objektivin final që është futja në BE. Shqipëria është faktor stabiliteti në rajon dhe kjo është diçka që është vlerësuar, BE e sheh Shqipërinë si një partner të besueshëm’, tha ai.
Për ish-deputetin Enkelejd Alibeaj, as Sali Berisha dhe as Edi Rama nuk e duan vendin në BE-në. Ai tha se pjesa më e vështirë nuk është hapja e grupkapitujve, por mbyllja e tyre.
‘Pse Brukseli është duke e përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë. Këto dy ose 3 vite ka një përshpejtim. Ne kemi jetuar këtu dhe kemi parë se çfarë ka ndodhur brenda vendit. Mua s’më rezulton që të ketë ndodhur diçka e madhe që Brukseli është duke e përshpejtuar procesin, por ka ndodhur diçka gjeopolitike, fuqitë e globit janë duke përcaktuar disa kufinj të rinj, agresioni rus në Ukrainë, e kanë bërë më të ndjeshme për të përcaktuar kufinjt, pra ku është kufiri i perëndimit me lindjen. Brukseli ka mbyllur një sy ndoshta edhe dy. Po as Rama dhe as Berisha nuk e duan BE. Të hapësh kapitujt s’është ndonjë arritje, por t’i mbyllësh ata është e rëndësishme’, tha ai.
Për analistin Plator Nesturi, lufta kundër korrupsionit është pjesa më e vështira për t’u realizuar. Por, sipas tij BE ka vlerësuar punën që është bërë nga SPAK.
‘Ajo që dua të them është fakti që ne i plotësojmë kushtet për të qenë anëtarë për të ecur me këtë lloj ritmi, ne jemi të ndërgjegjshëm dhe këtë e di dhe mazhoranca dhe opozita. Ne kemi një problem që është politika e cila është në një krizë të thellë. Çështja e luftës ndaj korrupsionit është vlerësuar nga BE. SPAK ka krijuar një besim tek BE, kjo është garanci. Ky është një proces që nuk ndalet dot më. Çdo gjë që ndodh në këtë shoqëri është një zinxhirë i gjatë dhe hallkat diku janë prishur dhe duhen ndrequr që të funksionojë edhe njëherë’, tha ai.
Analisti Indrit Vokshi, tha se BE po e përshpejton procesin për integrimin e vendit në BE, për interesa strategjike.
‘Bashkimi Europian mjafton që ta ketë në shërbimin e vet, për të marrë ato koncesionet që i duhen, ata të bëjnë pjesë të BE edhe pa qenë një vend demokratik. Po e avancojnë sepse i intereson territori dhe janë të gatshëm që të bëjnë një marrëveshje dhe mjafton që të marrin çfarë të duan’, tha ai.
Analisti Plator Nesturi, u ndal edhe tek deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili teksa komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të lënë Erion Veliajn në detyrë si kryebashkiak të kryeqytetit, i kërkoi GJK t'i japë mundësinë Veliajt të bëjë detyrën.
Ai tha se kjo deklaratë vjen pasi Tirana është në ngërç dhe ka nevojë për kryetarin.
‘Rama e bëri atë deklaratë jo për tu kundërvënë drejtësisë por sepse këtu është krijuar një ngërç, që është çështja e të drejtës ligjore dhe çështja për menaxhimin e qytetit. Kjo u lidh edhe me çështjen e zgjedhjeve dhe në këtë kuadër një kryeministër mbanë qëndrimet e veta sepse po mbron atë vendim politik që mori, por çështja e GJK është më e madhe se ajo që ngre vet kreu i qeverisë’, tha ai.
Komente











