Qeveria dhe shumica e sotme në pushtet kanë dy mundësi me gjyqësorin shqiptar. Së pari, të provojnë ta reformojnë realisht atë, duke ia ndryshuar tërësisht kokën, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, me forcën e kartonave jeshilë në Kuvend. Së dyti, ta lënë në kllapinë, mungesën e profesionalizmit dhe në degjenerimin ku është zhytur, duke ngritur duart lart përpara ndërkombëtarëve, si për të thënë:”Ne s’mund të ndërhyjmë më tepër në pavarësinë e gjyqësorit. Ai nuk do që të reformohet! Situata është e pazgjidhshme”.

Mund të lajnë duart në njëfarë mënyre me Brukselin dhe Uashingtonin, por do të ndodhen shumë defiçitarë me pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, që kërkojnë pastrimin e drejtësisë së vendit. Ky pastrim është sfida madhore e vendit dhe ajo mund dhe duhet të mbajë edhe koston e të dukurit se po zhvillohet një kryqëzatë apo gjueti shtrigash ndaj gjyqësorit shqiptar. Në të vërtetë, kjo është një betejë për jetë a vdekje e pastrimit të shoqërisë shqiptare nga fuqitë okulte që e kanë qeverisur për mbi 20 vite.

Nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, shërbëtorë me vendimet, veprimet ose mosveprimet e tyre, të një pushteti politik të korruptuar. Kur shtëpia është në flakë dhe duhen shpëtuar orenditë themelore në të, nuk mund të vajtohen muret e nxira. Këshilli i Lartë i Drejtësisë e pati shansin e tij themelor për të treguar se i bëhet vonë për gjendjen mjerane të sistemit gjyqësor që drejton, kur ministri i Brendshëm publikoi 65 vendime shumë të diskutueshme të disa gjyqtarëve, të marra që nga fillimi i këtij viti, të cilat kanë liruar persona të akuzuar për krime të ndryshme. Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë mund të ishte vënë në punë me kapacitet të plotë dhe të hetonte këto vendime, rast pas rasti, duke filluar nga ato që ngjanin si më skandalozet.

Në rast se nga hetimet e tij do të kishin dale vendime të gabuara dhe që duhej kryer rigjykim, mund të kishte filluar reforma reale në drejtësinë tonë. Inspektorati mund të maste nivelin e profesionalizmit në marrjen e këtyre vendimeve, duke i kaluar në një sitë reale gjyqtarët autorë të tyre. Por nuk e kreu këtë katarsis. Nuk publikoi qoftë rezultatet e një hetimi të vetëm. Edhe të atij ku mund të provohej se pretendimet e Minisrtrit të Brendshëm nuk qëndronin. E gjitha kjo ngre një akuzë të fuqishme ndaj strukturës më të lartë të sistemit tonë gjyqësor, “qeverisë” së tij. Atë të mosveprimit, të lënies së sistemit në një gjendje amullie, në një kohë kur reforma konkrete në drejtësi është lëvizja që e presin të gjithë. Dhe reformë do të thotë vënia përpara përgjegjësisë, në rradhë të parë e gjyqtarëve të paaftë, që për një arësye ose tjetrën marrin vendime të gabuara.

Pikërisht gabimet në vendimet e marra priste mbarë opinioni publik që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të zhbironte, duke marrë masa ndaj gjyqtarëve të kapur në gabim. Sigurisht që Roma nuk u ndërtua në një ditë dhe edhe korrupsioni në rradhët e togave të zeza nuk mund të dalë sa hap e mbyll sytë në pah. Korrupsioni në drejtësi është më i vështiri për t’u zbuluar. Por mungesa e profesionalizmit dhe paaftësia mund dhe duhej të kishin dalë, pse ato janë të pranishme dhe të shtrira thellë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, përtej çdo epiteti apo cilësimi që ai ka marrë në këto kohët e fundit kur ndodhet në vëmendjen e opinionit publik me veprimet dhe mosveprimet e tij, duhet gjykuar vetëm nga çfarë i takonte të bënte dhe nuk ka arritur ta bëjë.

Ai duhet gjykuar nga Kuvendi për mungesën e theksuar të performancës së vet. Çdo trajtim tjetër ndaj tij do të merrte vulën dhe ngjyrën e kryqëzatës, damkosjes, ndërhyrjes në pavarësinë dhe punët e brendshme të “qeverisë” së gjyqësorit. Në të vërtetë, shkarkimi i një strukture që është jo efektive dhe efiçiente në detyrën që ka, që nuk tregohet aktive atëhere kur duhet me të madhe që të jetë, vetëm se do të shmangte efektin e gurëve të Sizifit në drejtësinë shqiptare, pra të reformave që provojnë të ngjisin “malin” e zbatueshmërisë dhe rrokullisen gjithnjë poshtë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)