Në datën 11 qershor 2021, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe përfaqësues të tjerë të saj, zhvilluan online takimin përmbyllës me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Yan Sun, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë.
Diskutimet e këtij takimi u fokusuan në ecurinë e ekonomisë shqiptare, zhvillimet në sistemin financiar, ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike dhe pritjet për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u shpreh se, ndonëse ekonomia shqiptare vijon të përballet ende me pasojat e pandemisë COVID-19 dhe ndikimin e saj në konsum, investime, punësim dhe në borxhin publik, treguesit kryesorë ekonomikë, tashmë kanë marrë një kthesë drejt përmirësimit.
Në vijim, lidhur me tregjet financiare, Guvernatori shtoi se kushtet monetare në ekonomi kanë qenë dhe vijojnë të mbeten akomoduese, ato operojnë të qeta, kursi i këmbimit shfaqet i qëndrueshëm, ndërsa sektori bankar ka vijuar të financojë bizneset dhe familjet. Këto zhvillime pasqyrojnë si shëndetin e bilanceve të sektorit bankar ashtu dhe reagimin e duhur të tij ndaj goditjes. Në muajin prill 2021, treguesi i kredive me probleme zbriti nën nivelin 7.8%, duke regjistruar vlerën më të ulët të regjistruar prej vitit 2009.
Në përgjigje të kësaj krize, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit, ofroi stimulin e nevojshëm monetar, për të garantuar funksionimin normal të tregjeve financiare dhe për të nxitur më tej kreditimin e ekonomisë. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ofroi lehtësi të mëtejshme për bizneset dhe familjet shqiptare, nëpërmjet lehtësimit të përkohshëm dhe të targetuar të mbikëqyrjes së rregulloreve të funksionimit të sektorit bankar, nëpërmjet moratoriumit gjashtëmujor të kësteve të kredisë dhe në formën e nxitjes së ristrukturimit të saj.
FMN-ja vlerësoi se qëndrimi i politikës monetare nga Banka e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke i shërbyer nxitjes së konsumit dhe investimeve, çka do të kontribuojë më tej në rritje të punësimit e të pagave, në linjë me objektivin e inflacionit të përcaktuar nga banka.
Më tej, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e FMN-së diskutuan mbi prioritetet e politikave ekonomike. Gjatë diskutimeve, ata ranë dakord se politikat monetare e fiskale duhet të vijojnë të mbeten stimulues gjatë vitit në vazhdim, me synim ofrimin e mbështetjes së duhur për rritjen ekonomike. Më tej, forcimi i qëndrueshmërisë së rimëkëmbjes ekonomike duhet të shoqërohet me një vëmendje më të madhe drejt stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, duke rritur njëkohësisht hapësirat e reagimit të politikave përballë sfidave të mundshme në të ardhmen.
Në një horizont afatgjatë, përfaqësuesit e FMN-së theksuan nevojën e përshpejtimit të agjendës së reformave strukturore. Këto reforma duhet të synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve dhe të biznesit, si dhe forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së financave publike, si instrumente që do të mundësojnë një rritje më të shpejtë e më të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare.
Në përfundim, misioni i FMN-së falënderoi palën shqiptare për diskutimet e hapura dhe të frytshme.