Merkel e bëri sërish! Pas bujës në vitin 2012, kur veshi të njëjtin kostum të katër viteve më parë, kancelarja u paraqit dje në festivalin vagnerian të Bejreutit, Bavari, me të njëjtin komplet të vitit të kaluar. "Merkel, ashtu si në vitin 2013, u shfaq përpara fotografëve me një xhaketë blu me tre kopsa dhe me një fund deri në fund të këmbëve.

Në duar kishte një çantë të vogël me të njëjtën ngjyrë me kostumin dhe në qafë kishte një gjerdan të thjeshtë me perla. E shoqëronte bashkashorti Joachim Sauer, i veshur me frakun e vitit të kaluar", njofton agjencia gjermane e lajmeve, DPA. Ajo që konsiderohet gruaja me e fortë e botës, zgjodhi edhe një herë për të dhënë një imazh konform fuqisë që drejton, një vend solid dhe pak të dukshëm, që nuk shqetësohet shumë për formën, por për përmbajtjen.

Në një farë mënyre, zgjedhja e Merkelit, përfshirë pushimet në Itali, në Ischia dhe Alto Adige, në hotele jo ekskluzive dhe vite drite larg hoteleve tip "Lion in the Sun" duket konform edhe ndaj mesazheve politike që kancelarja ka zgjedhur: asnjëherë shpenzime marramendëse!. "Kancelarja nuk është yll kinemaje, por politikane", thotë drejtoresha e revistës femërore "Bunte", Patricia Riekel. "A mund të blihet një veshje për ta mbajtur mbi trup vetëm një apo dy herë"?, pyet Riekel. Për Angela Merkelin, sido që të jetë, kjo nuk përbën kurrë një problem./ATSH/