Agim Pllashniku, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë, që dënuan me 81 vite burg në total 4 ish-krerët e UÇK-së.
Në një lidhje për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Pllashniku e cilësoi vendimin e sotëm të Hagës të gabuar dhe akuzoi Europën për padrejtësi ndaj shqiptarëve.
Pllashniku shtoi se shqiptarët nuk duhet t’ja falin Europës këtë gabim që sipas tij kënë bërë ndaj 4 ish-krerëve të UÇK-së, teksa tha se priste që 4 ish-liderët e UÇK të shpalleshin të pafajshëm.
“Sot në emër të popullit duheshin shpallur të pafajshëm katërshja më e madhe themeluese e UÇK-së. Haga ka gabuar sot rëndë. Gjithmonë kur kanë qenë vendime të mëdha, Europa ka gabuar me ne. Këtë idhnim që na i ka bërë ne veteranëve të luftës, nuk do ia falim ne Europës qysh ja kemi falur më herët. Ne kemi pritur një vendim që t’i shpallte të pafajshëm”, tha mes të tjerash Pllashniku.
Më tej Pllashniku u bëri thirrje shqiptarëve që të shkaktojnë trazira në Ballkan, derisa themeluesit e UÇK-së të lirohen.
Për Pllashnikun, janë serbët ata që duhet të dënohen, të cilët kanë kryer krime lufte, duke vrarë gra e fëmijë të pafajshëm në Kosovë.
“Prej këtij momenti, ne veteranët e luftës bëjmë edhe një thirrje që të trazojmë gjithë Ballkanin, ose të lëshojnë themeluesit e UÇK-së. Nëse janë fajtor ata, jemi edhe ne fajtorë. Në vend që të dënohen serbët që kanë bërë krime në Kosovë, kanë prerë fëmijë e kanë dhunuar gra, po dënohemi ne që kemi bërë luftë çlirimtare”, tha mes të tjerash Agim Pllashniku, veteran i UÇK”, shtoi Pllashniku.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite burgim, pasi u shpallën fajtorë për krime lufte.








Komente
Komento