Prokurorët në Hagë hodhën këtë javë në tryezë një shifër që Kosovës i ra si gur i rëndë: 45 vite burg për secilin prej katër ish-krerëve të UÇK-së. Në Prishtinë, thotë gazetari dhe analisti Shkodran Hoti, reagimi ka qenë pothuaj njëzëri: kjo nuk është drejtësi.

Në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, Hoti tha se pretenca e prokurorisë në Hagë ka prodhuar menjëherë reagime politike dhe publike që kanë një pikë të përbashkët: kërkesa për 45 vite burg secili është cilësuar “e pakuptimtë” dhe ajo që po ndodh në Hagë “e papranueshme”.

Megjithatë nuk ka qenë surprizë, tha Hoti.

“Kjo gjykatë e ka bërë këtë proces jo të besueshëm, e ka zvarritur mbi 3-4 vjet më shumë. Në Kosovë ka konsensus të plotë që veprimet e kësaj gjykate janë politike dhe jo juridike sepse është shumë e paqartë ku bazohet kërkesa për 45 vjet burg. A bazohet në ligjin e Kosovës që njeh dënime maksimale me Shifra të tjera? Në ligjin e Jugosllavisë apo ku e ka bazën kjo kërkesë” tha ai.

Hoti kritikoi ashpër qëndrimin e institucioneve të Kosovës. Sipas tij, qeveria e Albin Kurtit ka qëndruar “indiferente” ndaj gjithë procesit, jo vetëm në simbolikë, por edhe në trajtimin e çështjes në nivele të tjera.

“Qeveria e Kosovës ka qëndruar indiferente ndaj gjithë procesit. Po flasim që nga niveli simbolik e deri në nivelet e problematizimit të këtij proceësi në rrafshe të tjera. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në të shumtën e rasteve nuk i kanë mbështetur protestat e organizuara për krerët e UÇK. Kurti nuk i ka vizituar ata kurrë në Hagë” tha Hoti.

Në të njëjtën linjë, Hoti përmendi edhe vështirësitë me financimin e mbrojtjes ligjore. Sipas tij, ka pasur probleme me fondet, ka avokatë që janë larguar dhe janë bërë thirrje edhe për fonde private që qytetarët të ndihmojnë.

“Ka avokatë që janë larguar ndërkohë që fondet kanë qenë të pamjaftueshme. Ka lindur nevoja të bëhen thirrje edhe për fonde private që njerëzit të financojnë. Qeveria e Kosovës dhe presidenca kanë pasur një qëndrim që është pak i çuditshëm sepse nuk bëhet fjalë për 4 njerëz por për UÇK-në dhe krerët e saj. Qëndrimi shpërfillës i qeverisë dhe presidentes ka qenë i habitshëm edhe i dëmshëm. Një dënim i krerërve të UÇK-së është goditje ndaj legjitimitetit të Kosovës” përfundoi Hoti.