Kur thashë, që fillimisht në zgjedhjet primare të Partisë Demokratike isha me Hillary Clinton dhe u trishtova pa masë që ajo humbi garën me Obamën, grupi i burrave të nderuar opinionbërës, thanë gati me një gojë dhe me të njëjtin surrat nënvlerësues: po ishte grua.
Nuk gjej fjalë ta përshkruaj mimikën e tyre përçmuese dhe ky është rasti kur në ndihmë do vinte veçse kinemaja. Mbeta pa gojë! Jo se nuk e njoh ambientin tejet maskulin shqiptar, por mendova se në kapërcyell të mijëvjeçarit të ri, kur edhe burrat e ekraneve sfilojnë me ora të shtrenjta dhe kravata të shndritshme, ndonjëherë ato si e vetmja arsye për të bërë show-n e radhës, thashë se të paktën dhe pikërisht ata duhet ta kishin kapërcyer disi këtë mentalitet dhe të ishin më mendjehapur. Sigurisht që nuk fola më, dhe ishte e kotë të zhvilloje një debat emancipues pse një presidente grua është po aq, pse jo dhe më e mirë se një burrë.
Po ashtu më humbi dhe dëshira për të qenë pjesë panelesh burrërore, që mendojnë se dinë të opinionojnë më mirë se gratë. Në fakt këtu dhe mund të kenë të drejtë.
U kujtova pastaj që kam “miq” gazetarë që akoma më mbajnë mëri pse dikur, diku kam bërë ndonjë shkrim ku kam lavdëruar emisionin e Rudina Xhungës dhe jo të tyrin. Dhe Rudina as që ka ndërmend të konkurrojë për presidente, të paktën tani për tani. Vazhdon të bëjë një emision të bukur, dhe me të bukur nënkuptoj domethënës, pa tam-tame, pa atë artificialitetin “hu-ha” që shohim tek emisionet e meshkujve, sidomos kur inskenojnë sekuenca gati qesharake me krerët e kombit, të këtij kombi të vogël me shumë drama, ku me thënë të drejtën, dramaciteti fallco i emisioneve është shpifanjak dhe krejt i tepruar. Po akoma më qesharake është sesi këta burrat hijerëndë të emisioneve politike, megjithëse kanë nja 10 vjet e kusur, që ftojnë disa herë në vit politikanët e mëdhenj, prapë se prapë s’ia gjejnë dot ilaçin emocioneve të forta, dridhjeve të zërit dhe të këllqeve, për të mos shkuar pastaj tek një lloj përulje, që ndryshon nga njëri krah në tjetrin, si me magji, varet se kush është kryeministri i radhës. I gjej gjithmonë më të qeta dhe më pa emocione të tilla Rudinën apo Ilvën. Ose ndoshta ngaqë burrave nuk u shkon aq shumë pështirosja, nuk e di. Por gratë e ekraneve nuk u lëpihen burrave të politikës, kjo është mëse e dukshme.
Ky është veçse një aspekt i vogël në një sektor të jetës së përditshme shqiptare, që tregon mjaft për atë mentalitet që do kohë të ndryshojë dhe që nuk reflektohet nga veshjet e shndritshme apo dritat e xixat e ekraneve. Sot kur shoh dhjetëra emërime grash apo vajzash në dikastere të rëndësishme të shtetit shqiptar, reagimi i parë është të kontrolloj rezymenë e tyre si dhe mentalitetin apo disiplinën që kanë shfaqur në punët që kanë bërë më parë.
Por histeria që po shkakton ndër burra kjo valë emërimesh, nuk të lë rehat të mendosh dhe tjetrën: po zgjidhen femra! Nuk jam feministe e thekur, besoj thjesht tek vlerat dhe meritokracia pa dallim gjinie. Megjithatë s’mund ta fsheh kënaqësinë e madhe kur shoh reagimet nervoze të burrave të politikës dhe medias. E gjej argëtuese!
Ashtu si për Hillarinë e politikës, Sandin e Facebook apo Marisën e Yahoo, e shumë e shumë gra të tjera në majat e industrisë e politikës në botë, por edhe për ato gra të suksesshme në Shqipëri, vlen shprehja: Ato mbarojnë punë! Që në anglisht tingëllon akoma më bukur: They get the job done!
S’e di në çfarë epoke jetojnë shqiptarët që të hakërrehen kaq shumë pse gra apo vajza po vihen në poste kyçe të administratës së shtetit. Ndërkohë që në një botë të qytetëruar, çdo zgjedhje apo emërim i tillë është lajm i mirëpritur në krye të agjencive prestigjioze të lajmeve, që shoqërohet me artikuj dinjitozë përshëndetës, ku ngjitje të tilla të grave klasifikohen veçse emancipuese. Dhe nuk përshëndeten vetëm nga femrat, përkundrazi.
Po ashtu më kujtohet pak kohë më parë, sa shumë u kritikua Obama kur mblodhi një tufë burrash në kabinetin e ri pas rizgjedhjes si president. Kjo shkaktoi një reaksion të paparë kritik nga gjithë opinioni. Sepse Obama është emancipues në qenien e tij dhe shoqëria pret pikërisht këtë gjë prej tij. Dhe emancipimi vjen dhe bëhet i vërtetë, doni apo nuk doni, me femrat e zonja që marrin përsipër detyra të rëndësishme. Por në SHBA, atë që nuk e bën politika apo shteti, di kaq mirë ta bëjë biznesi dhe media. Kurse në Shqipëri dhe kur e bën politika dhe shteti, na ngrihet kundër media që ka për detyrë pikërisht emancipimin. Nuk po flas për biznesin, se me thënë të drejtën më vijnë ndërmend vetëm nja dy burra që fryhen si gjela e flasin vetëm për vilat ku rrojnë. E meqë jemi tek burrat barkfryrë, e gjej tejet argëtuese argumentin pse të tillë, nuk u vunë në postet që sot janë emëruar gratë. E gjej akoma me gajasës, kur lexoj opinione sesi Edi Rama po u ndërpriska karrierën në mes, atyre që kanë nja 20 vjet që agjërojnë në politikë. Pse ai nuk vuri ministra ata që dikur kishin qenë ministra? Kjo është pyetje shumë e thellë në fakt. Se në fund të fundit meqë ke qenë një herë ministër, duhet të jesh gjithë jetën ministër. Meqë ke qenë nja tre herë deputet, duhet me patjetër të jesh dhe për herë të katërt.
Tek e fundit, një kabinet i dikurshëm, qoftë i PS-së apo PD-së, s’ka gjë se aspak produktiv, i rrëzuar me votë në zgjedhjet e mëparshme, cilado zgjedhje qofshin ato, na paska vlera dhe ju dashka dhënë shansi të ridrejtojë sërish.
S’ka problem se vetëm duke parë sa e keqkatandisur është Shqipëria, kupton që ata që kanë bërë punë të mira, nuk numërohen as me gishtat e njërës dorë.
Është pikërisht ky lloj mentaliteti që na la Berishën në derë për 20 e ca vjet. Dhe nuk mendoj se shqiptarët në 23 qershor votuan për riciklim. Unë e kuptoj që Berisha nuk e ka kuptuar ende pse humbi. As Jozefina. Ata janë në botën e çudirave që krijuan me paratë e shqiptarëve. Por lërini të tronditen të vetëm në Facebook duke folur si gra të përdala. Të tjerët s’kanë pse tronditen kaq shumë. Shqipëria nuk ka vetëm Berishën dhe gratë e tij, ka dhe gra të zonja.
Sa për fund sqarim: nuk bëj pjesë në atë grup shkruesish që do vazhdoj të lavdëroj çdo vendim apo arritje të Edi Ramës. Ç’kisha për të thënë, e kam thënë para 23 qershorit. Shto pastaj që tradita e medias shqiptare është e tillë, që ata që e kritikuan dje në opozitë, do t’i bëjnë elozhe sot në pushtet. Dhe ata janë të shumtë! S’besoj se do më vijë radha ndonjëherë. Por këtë punën e grave në pushtet e kam merak. Sepse nuk është dhe as që duhet parë, si një veti e një feministi artist, që befas e papandyer po na prish trendin maskulin shekullor shqiptar. Qoftë dhe sikur të ishte kaq, meriton një përshëndetje të madhe.
Por të drejtat e grave do thoshte dikur Hillary në Kinën komuniste, janë të drejta njerëzore.Dhe këtu hyn dhe e drejta për të drejtuar industrinë, doganat, tatimet, emisionet politike, pse jo dhe shtetin
Marre nga Tema
(sg/shqiptarja.com)