Shek Hallaçi nga grupi i Kumanovës publikon pamjet e mjerueshme nga burgu i Idrizovës në Shkup, denoncon autoritetet: Ka pasur me dhjetëra raste vdekjesh, askush nuk flet

Shek Hallaçi nga grupi i Kumanovës publikon pamjet e mjerueshme nga burgu i Idrizovës në Shkup, denoncon autoritetet: Ka pasur me dhjetëra raste vdekjesh, askush nuk flet

Pamjet e publikuar nga Shek Hallaçi

MAQEDONI E VERIUT- Shek Hallaçi, ish ushtari i UÇK-së,  i dënuar si pjesëtar i grupit “Kumanova” ka denoncuar në rrjetet sociale kushtet çnjerëzore në burgun e Idiziovës së Shkup, aty ku ndodhen dhe luftëtarë të tjerë që kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hallaçi po ashtu tregon se ka mungesë të kujdesit mjekësor dhe më e rënda është se ai thotë se ka pasur me dhjetëra raste vdekjesh në burg, për të cilat autoritetet as nuk kanë reaguar e as nuk kanë marrë masa.

Ai thotë se ambientet e burgut mungojnë shtretërit e të burgosurit detyrohen të rrinë në hapësira tepër të vogla dhe në tokë. Akoma dhe më skandal ai shprehet se janë kushtet e higjienës, ku ka një prani të madhe të insekteve.

“Ju prezantoj Maqedoninë Evropiane  nga burgu i Idrizovës.

Ndonëse në çdo fushatë politike, çdo kush që vjen në krye të Drejtorisë së Burgut jep premtime të mëdha, situata në "Idrizovë" jo vetëm që nuk është përmirësuar, por sa vjenë e përkeqësohet !

Jeta brenda këtyre mureve nuk i plotëson as kushtet minimale!

Të burgosurit janë të detyruar të qëndrojnë në një hapësirë të vogël 16 metra katrorë, deri në 16 persona, dhe më e keqja në 8 shtretër, që do të thotë se gjysma e tyre flenë në tokë!

Higjiena është e keqe, ka buburreca, insekte, nuk ka mundësi të ruhet higjiena personale.

Kjo ndikon edhe në atmosferën e tensionuar në mes të dënuarve, dhe për këtë arsye shpesh  ka dhe përleshje ! Për ushqimin mos të flasim, nuk ka kontrolle  të pastërtisë, mbahet në kushte të mjerueshme, ku luajnë macet, pa asnjë vlerë ushqyese, jo cilësor, dhe i pamjaftueshëm .

Të dënuarit varen plotësisht vetëm tek familja !Kujdesi mjekësor pothuajse nuk ekziston !

Të burgosurit lihen pa kujdes mjekësor dhe barna, ndërsa dhe ata që arrijnë të mjekohen, ankohen për shërbimin e dobëta që marrin .

Në këtë fushë problem dhe mungesa e dentistëve ose shërbimeve të tyre, nuk kanë mundësi të nxjerrin një dhëmb, nuk ka aparatura për mirëmbajtjen dhe mbushjen, nuk ka lëndë  të parë për rregullimin e tyre etj...

Ka pasur me dhjetëra raste vdekjesh, dhe askush nuk fol, apo nuk merr masa nga institucionet!

Policia e burgjeve nuk është në gjendje të parandalojë rrahjet , dhe jo vetëm që nuk mundet, por bëhet dhe vetë pjesë e problemeve me sjelljen e papërshtatshme dhe degraduese nga personeli i saj, ndaj të burgosurve, duke nisur nga fyerjet deri në keqtrajtime fizike.

Çdo privilegj bëhet vetëm me të njohur  dhe kundrejt shpërblimit .

Korrupsioni është në kulmin e Zhvillimit . Ndërsa jeta e të burgosurve, në kulmin e mjerimit!

Me pak rreshta u mundova t’u sjellë një pasqyrë  të gjendjes së Burgut të Idrizovës, nga Maqedonia e Veriut, në rrugën drejt Bashkimit Evropian !”, shkruan ai në reagimin e tij në rrjetet sociale.

Kush është Grupi i Kumanovës

E gjithë ngjarja kishte ndodhur në vitin 2015 në datat 9 dhe 10 maj në Maqedoni, ku si rezultat i përplasjeve të armatosura në Kumanovë më konkretisht në “Kodrën e Trimave” kishin mbetur të vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore maqedonase dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur.

Të shtënat kishin nisur në orët e hershme të mëngjesi të 9 majit 2015, derisa lagjia “Kodra e Trimave” ishte shndërruar në një zonë luftimesh të ashpra me banorët që ishin tronditur pa e ditur se çfarë po ndodhte dhe kush me kënd po luftonte. Pas përfundimit të luftimeve, lagjia ngjasonte me një gërmadhë. Luftimet kishin zgjatur dy ditë.

Shumica e pjesëtarëve të këtij grupi ishin nga Kosova e që gjatë kohës së luftës në Kosovës disa kishin qenë edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Siç kishin deklaruar nga ky grup, vendosja e tyre në Kumanovë ishte bërë për shkak të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Të vdekur nga luftimet në Kumanovë kishin mbetur Xhafer Zymberi, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Turgaj Rexhaj, Samid Rashiti, Fatlum Vishella dhe Arben Rexhaj nga Kosova dhe Nysret Kolshi nga Shkupi.

Mirsad Ndrecaj dhe Begë Rizaj ka dyshime se mund të jenë vrarë pasi ishin arrestuar nga policia maqedonase në përfundim të aksionit të 9 dhe 10 majit në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Trupat e disa tyre janë varrosur në fund të majit 2015 në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, kurse trupi i Begë Rizajt është varrosur në Kompleksin Memorial në Gllogjan të Deçanit.

Ndaj personave të cilët ishin dorëzuar dhe më pas edhe arrestuar nga shteti maqedonas, Gjykata Themelore e Shkupit ka shqiptuar gjithsejtë 746 vjet burg, duke i akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015. Për veprën terrorizëm ishin akuzuar gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 me burg të përjetshëm.

 

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb