"Hamleti nga Kavaja”, në
gjurmët e Aleksandër Moisiut

gjurmët e Aleksandër Moisiut">
Gjurmët e Aleksandër Moisiut e kanë çuar gazetarin gjerman në qytezën e vogël shqiptare të Kavajës. Është pikërisht viti 1957, në kulmin e marrëdhënieve të mira me ish-Bllokun Lindor, kur ndonjë korrespondencë nga Shqipëria edhe për gazetat berlineze, nuk ishte ndonjë çudi, madje ishte diçka fare normale. Ndërsa konsultohesha me arkivën e disa gazetave ish-gjermanolindore të viteve ’50 të shekullit të shkuar, më tërhoqi vëmendjen një artikull me titull: “Hamleti nga Kavaja” - Zbulim në Shqipëri / Në gjurmët e Aleksandër Moisiut, me autor Kurt Seliger”.

Qysh në titull shprehet habia dhe në fund pohohet fakti se nga ky vend i vogël paskësh dalë pra një aktor aq i madh për të cilin bota s’e kish ditur fare se ai kishte origjinë shqiptare. Materiali i rrallë vjen për herë të parë në shqip dhe merret me mend se është shkruar në frymën e kohës, ndërkohë që në një moment të caktuar, të lë qartë të aludosh se kushëriri tjetër i Aleksandër Moisiut në Shqipëri, ishte pikërisht Spiro Moisiu, asokohe një hierark i lartë në kupolën ushtarake të vendit. Nga ana tjetër aludohet se Moisitë janë pasardhës të Moisi Golemit, duke e bërë autorin e artikullit të verë në dukje kontributin e hershëm të familjes Moisiu në historinë e Shqipërisë. Por gjëja më interesante është vetë historiku i familjes dhe kërkesa e bërë nga Aleksandër Moisiu, i cili në një moment të vështirë të jetës së tij, ndërsa kishin nisur përndjekjet naziste ( në artikull nuk shprehet, por të lë ta nënkuptosh se bëhet fjalë për hebrenjtë), “kujtohet” për rrënjët e tij shqiptare dhe kërkon nënshtetësinë në kohën e ish-Mbretit Zog, i cili lëviz gurët për ta verifikuar së pari nëse aktori i madh i skenave europiane, kishte jetuar ndonjëherë në një qytezë si Kavaja.

* * *

Kavaja është një qytezë tipike shqiptare. E vogël, me shtëpi njëkatëshe që afrohen tek rruga kryesore, ku njëra anë të çon në drejtim të veriut, drejt Durrësit dhe tjetra, në jug, drejt Vlorës. Nuk është fort larg detit dhe në lindje shihen majat e kodrave të Shqipërisë së Mesme. Unë po rri ulur në një dhomë të Shtëpisë së Kulturës, drejtori i së cilës më tregon njërën ndër historitë më surprizuese që unë kam dëgjuar në Shqipëri.

Në shekullin e shkuar, këtu jetonte një burrë që për metrin shqiptar ishte shumë i pasur. Ai posedonte një liman të vogël dhe një sipërfaqe me ullinj; anijet e tij transportonin grurë dhe vaj nga Durrësi në Trieste, në Brindisi dhe Bari. Një ditë, ai njohu të bijën e një mjeku të njohur të Firences. Të dy u martuan dhe u vendosën në Durrës. Shqipëria asokohe akoma nën zgjedhën turke, vuante nga malaria dhe gjakmarrja. Ishte njëri ndër vendet më të prapambetura të Europës.

Për këtë arsye, “sinjora” Amalia-s nuk i pëlqente të rrinte në Durrës e donte të shkonte në Trieste. Familja u vendos në qytetin e madh portual të Adriatikut që asokohe i përkiste Austro-Hungarisë. Ndërkohë, bizneset u çuan përpara nga një administrator. Më 2 prill 1879, çiftit i lind fëmija i dhjetë: Aleksandri, i quajtur nga familja me përkëdheli, Sandrini. Me shtatë motrat e vëllezërit, Aleksandri kalon në Riva Grumilla në Trieste një fëmijëri të bukur. Por një natë, ai kalon në anën tjetër të Adriatikut duke hasur në një stuhi të fortë. 12 anije të tregtarit shqiptar mbyten dhe pemët e tij të ullinjve gjithashtu u përthithën nga stuhia. Babai i Aleksandrit humbi një pjesë të madhe të pasurisë së vet dhe tashmë do t’i rimarrë në dorë sërish punët e veta.

Tashmë i duhet të kthehet sërish në Shqipëri. Zonja Amalia nuk pranon që nuk pranon të shkojë në atë vend edhe një herë. Kështu që Aleksandri sëbashku me dy motrat binjake dhe vëllezërit shkon në Kavajë. E ëma mbetet në Trieste së bashku me dy vajzat më të mëdha në moshë. Aleksandri dhe motrat e vëllezërit e tij kështu u desh t’ia dalin vetë mbanë. Vogëlushët sillen përqark nëpër oborr e luajnë me lodra e mëza. Por në shkollë situata për Aleksandrin s’do të ishte e lehtë.

Ndërtesa e shkollës për shkak të një tërmeti ishte rrënuar edhe më keq se ç’e gjeti. Mësimi që zhvillohej në gjuhën greke, është praktikisht i paaksesueshëm për të. Alesandri flet në shtëpi shqip, dhe shpesh e plotëson me italishten. Nëna në Triste nis e bëhet merak për të ardhmen e fëmijëve. Ajo dëshiron që Sandrini të vijë sërish tek ajo. Më në fund, ajo ia arrin dhe kështu që Aleksandri në vitin 1887 braktis përfundimisht Shqipërinë. Vetëm pak para vdekjes së tij, ndërkohë që po e përndiqnin nazistët në Gjermani, ai kërkon nënshtetësinë shqiptare, dhe regjimi i Zogut pyet në Bashkinë e Kavajës, nëse aty kishte jetuar ndonjë herë një farë Aleksandër Moissi, dmth. pikërisht aktori numër një i “Gjithkushi”-t (Jedermann) në festivalin teatror të Salcburgut, njëri ndër aktorët më të mëdhenj të erës së Rajnhardit, artin teatral të të cilit nuk e ka harruar akoma gjenerata e vjetër.

Unë kam edhe një surprizë për ju!, më thotë drejtori i Shtëpisë së Kulturës. Afrohuni – ejani me mua!. Pas pak, ne ndodhemi në hollin e një poçerie shtetërore. Miku ynë i drejtohet një punëtori, të cilit i thotë diçka në shqip, dhe pak kohë më pas aty shfaqet një burrë rreth të pesëdhjetave: Nikolla Moissiu, i cili na thotë: duhet të kishit takuar edhe disa pleq të tjerë që janë sjellë këtej vërdallë sëbashku me Aleksandër Moissiun. Fatkeqësisht ata kanë vdekur të gjithë tashmë. Unë vetë s’e kam njohur personalisht Aleksandrin. Unë di vetëm diçka nga ato që më tregonte im atë: i cili ishte pra vëllai i babait të tij, Konstantinit.

Babai im Petro Moissiu, këtu në Kavajë kishte një dyqan të vogël, tregon Nikola Moissiu më tej. Në këtë biznes, Aleksandri vinte thuajse përditë. Ishte një djalosh i gëzueshëm dhe këndonte shpesh. Kush kishte menduar asokohe se prej tij do të lindte një aktor aq i madh?! - gjë të cilën ne e mësuam më vonë vetëm prej gazetave. Më pas erdhi një ditë një kërkesë në zyrën tonë të gjendjes civile, ku kërkohej të dihej nëse Konstantin Moissiu ishte vëllai i babait tim, pasi Aleksandri kishte kërkuar nënshtetësinë shqiptare. Babai im e pohoi këtë gjë, pra që Aleksandri ishte i biri i vëllait të tij – dhe ne s’e dimë akoma nëse Aleksandri e mbajti apo jo nënshtetësinë shqiptare.

Së bashku e lemë pas poçerinë. Nikolla Moissiu na shpie nëpër disa rrugica të ngushta drejt një sheshi të hapur. Këtu ka vetëm pak shtëpi, prapa të cilave shtrihen fusha të pamasa. Para një porte na pret edhe Nikolla Moissiu, më këmbë: Kjo shtëpi i përkiste Konstantin Moissiut. Shtëpia më parë kishte një
hyrje tjetër shtesë, që më vonë është dashur të hiqej. Dhe këtu, tregon me dorë djathtas Nikolla, këtu luante ai ngahera - siç tregonte dikur babai im, me fëmijët e tjerë.

Familja Moissiu që rrjedh nga fshati Golem në veri të Shkodrës, ka luajtur dikur një rol në historinë e Shqipërisë. Sikurse edhe biografja e Aleksandër Moissiut, zonja Dr. Rohracher shkruan se kronika familjare rrëfen se njëri ndër paraardhësit e Moissive kishte qenë në kohën e heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut, komandant në luftë kundër turqve. Në veprat historike, ai njihet gjithashtu si Kapedan Moissiu.

A jeni ju i vetmi i afërm i Aleksandër Moissiut? - e pyesim ne kushëririn e tij në Shqipëri. “Ka edhe një kushëri tjetër të Aleksandër Moissiut në Shqipëri. Edhe ai quhet Moissi dhe është gjeneral në ushtrinë tonë popullore”. Kur unë vij nga Kavaja në Durrës, ku edhe atje teatri quhet “Aleksandër Moissiu”, dhe në Teatrin Popullor në Tiranë, në holl shoh disa foto të ndryshme që e tregojnë atë në forma të ndryshme. Thuajse askush nuk e di se ai ishte një shqiptar, një bir i popullit shqiptar. Vendi që vetëm para 12 viteve nuk e njihte akoma teatrin, i ka dhënë botës një aktor të madh.

Kurt Seliger, Vjenë: “Berliner Zeitung”, 21 shkurt 1957, Nr. 44. fq 3.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit