Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen Artemis gjatë një ceremonie që u zhvillua ditën e djeshme në selinë e NASA-s në Uashington.
Me këtë nënshkrim, Shqipëria bëhet vendi i 73-të që i bashkohet Marrëveshjeve Artemis, nismë ndërkombëtare për bashkëpunimin në eksplorimin dhe përdorimin paqësor të hapësirës.
Një moment krenarie e ka cilësuar ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha i cili ishte i pranishëm në ceremoni, ku morën pjesë Zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson dhe Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Hapësirën dhe Mjedisin, Connor Tomlinson.
Hoxha tha se ky është një moment që krijon mundësi të reja për brezin e ri dhe e lidh vendin tonë më ngushtë me teknologjitë, njohuritë dhe partneritetet që po formësojnë të ardhmen.
Ky hap, sipas tij, i shton gjithashtu një dimension të ri dhe të rëndësishëm partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Postimi i ministrit:
Washington D.C - Një ditë krenarie për Shqipërinë.
Dje, në selinë qëndrore të NASA-s në Uashington, Shqipëria hodhi një hap tjetër drejt së ardhmes.
Në prani të Zëvendësadministratorit të NASA-s, Matt Anderson dhe Zëvendës-Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Hapësirën dhe Mjedisin, Connor Tomlinson, pata nderin të nënshkruaj Marrëveshjet Artemis, duke e bërë Shqipërinë pjesë të një komuniteti ndërkombëtar në rritje, të angazhuar për eksplorimin paqësor, transparent dhe të përgjegjshëm të hapësirës, në dobi të gjithë njerëzimit.
Për Shqipërinë, ky moment është më shumë se një nënshkrim. Është një shprehje besimi te shkenca, inovacioni dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Një moment që krijon mundësi të reja për brezin tonë të ri dhe e lidh vendin tonë më ngushtë me teknologjitë, njohuritë dhe partneritetet që po formësojnë të ardhmen.
Ky hap i shton gjithashtu një dimension të ri dhe të rëndësishëm partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke pasqyruar angazhimin tonë të përbashkët për inovacionin, progresin dhe bashkëpunimin në kufij të rinj.
Shqipëria është gati të kontribuojë dhe të arrijë shumë më tej.
-
Perpara per fitorje te reja!
Përgjigju -
Tani dhe hena uj e drita 24h. Bravo Shqiperia
Përgjigju






Komente
Komento