Mësohet se si pikë mbështetjeje për hapjen e hetimit për shpërdorimet e abuzimet që janë bërë në rrugën e Kombit kanë shërbyer tarifat aspak të barabarta me të cilat janë ndërtuar kilometrat e kësaj rrugë, ku një kilometër kushtonte afërsisht 22 milionë euro ndërsa një kolometër tjetër i ngjashëm me të kushtoi 4-6 milionë euro. Dosja e plotë për përllogaritjen ka qënë në KLSH, i cili e kishte bërë publik auditin e tij, duke deklaruar se nga këto diferenca, pa hyrë në detajet e gjetjes së volumit të punës, gjërësisë së rrugës, vendosjen e mbrojtëseve anash rrugës, ishte mbi 230 milionë euro, që ishin marrë në mënyrë të padrejtë dhe abuzive nga taksat e qytetarëve shqiptarë, destinacioni i të cilave nuk dihej.
Mësohet se është tërhequr dosja e plotë nga KLSH, që pasi të plotësohet do shërbejë si bazë për rinisjen e hetimeve, pasi çështja është mbyllur me procedurë dhe nuk është dhënë asnjë lloj vendimi qoftë për dënimin e të akuzuarve por as për deklarimin të pafajshëm të tyre. Nga ana tjetër pritet të bëhet dhe verifikimi dixhital i të gjithë volumit të punimeve, materialeve të përdorura dhe përllogaritja e tyre në bazë të çmimeve të kohës për të nxjerrë në detaje se si janë shpenzuar 1.3 miliardë euro për këtë segment, kur parashikimi fillestar ishte 518 milionë euro, ndonëse tenderi u bë pa projekt. Mësohet se po merren materialet dhe nga drejtoria e rrugëve, për firmën audituese të kësaj rruge, por dhe për mënyrën e përzgjedhjes së kompanisë fituese.
Ata pritet të riakuzohen se, duke shpërdoruar detyrën kanë konsumuar shkelje ligjore gjatë procedurave të ndjekura për përcaktimin e subjektit, që ndërtoi Rrugën Rrëshen-Kalimash. Sipas dosjes mësohet se që në fillim të këtij projekti, janë vënë në dukje shkeljet, por gjithçka kaloi në qeveri. Ndërsa dhe kontrata e përpiluar dhe më pas e nënshkruar nga ministri Lulzim Basha e drejtori Juridik, Andi Toma me përfaqësuesit e shoqërisë “Bechtel & Enka” është bërë në bazë të ligjeve angleze dhe jo shqiptare. Kjo kontratë përbën shkelje dhe kundërshtim me rendin shtetëror dhe shoqëror të Republikës së Shqipërisë.
GATI 20 DOSJE TE TJERA
Berisha, Alibeaj, Bumçi, Ruli, Halimi para drejtësisë
Nuk do jetë vetëm dosja për abuzimet me “Rrugën e Kombit” ajo që do të rihapet nga organi i akuzës, pasi të jenë mbledhur provat e mjaftueshme për të rikthyer çështjen në Gjykatë. Mësohet janë afërsisht 20 dosje të tilla të mbushura me abuzime nga ana e drejtuesve të qeverisjes së kaluar të cilat do të kalojnë në dyart e prokurorisë të kopsitura për tërë elementët e nevojshëm për rihapjen e një kallzimi të ri penal, e rikthimin e çështjeve në gjyqësor për të dhënë dhe dënimin e merituar për personat përgjegjës.
Mësohet se mes këtyre dosjeve që janë gati në të kopsitur dhe për të shkuar para drejtësisë është dosja për “Gërdecin” me ish-kryeministrin Sali Berisha, që do të përgjigjet dhe për dosjen e rihapur tashmë të 21 janarit, ish-ministrin e Drejtësisë Aldo Bumçi për letrën lehtësuese private në favor të djalit të kryeministrit, Shkelzen Berisha. Mësohet se është kopsitur dhe dosja e koncesioneve të paligjshme ku përgjegjës është ish-ministri i METE Genc Ruli, si dhe dosja e abuzimeve në Ministrinë e Drejtësisë, me përgjegjës ish-ministrin Eduard Halimi. Pa përjashtuar këtu ish-ministrin e Drejtësisë Alibeaj, për kohën kur ishte në kryeministri.
Shkrimi u publikua sot (10.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)