Hapen pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, Sveçla jep detaje për atë që ndodhi në veri

Hapen pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, Sveçla jep detaje për atë që ndodhi në veri

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, njoftoi se pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë hapur për qytetarët e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla tha se barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës në nëntë lokacione, tashmë janë larguar plotësisht.

Gjithashtu, Sveçla dha detaje për ngjarjet në veri të dielën, ku tha se sulmet ishin të planifikuara që më përpara nga Beogradi.

“Grupe të maskuara e me armë të gjata të cilët udhëhiqen nga Beogradi dhe të ardhur nga Serbia, kanë filluar sulmet ndaj qytetarëve të vendit duke i rrahur brutalisht dhe të njëjtit kanë gjuajtur sot edhe ndaj zyrtarëve policorë me qëllim të vrasjes së tyre.

Këto sulme ishin të përgatitura që një kohë të gjatë e këto përgatitje kulmuan nga takimet në Beograd e në Rashkë. Sulmet e tilla nuk i kontribuojnë stabilitetit të vendeve tona dhe rajonit sepse mbi të gjitha Qeveria jonë ka marrë dy vendime duke respektuar ligjet vendore dhe ndërkombëtare. Siç jemi zotuar edhe mbrëmë, si Qeveri e Republikës së Kosovës, me largimin e barrikadave dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët tanë, ne e zhvendosëm zbatimin e vendimeve për datën 1 shtator 2022, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit në vend dhe rajon.

Krijimi i panikut, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, lëvizja e personave të armatosur e të maskuar brenda vendit, rrahja brutale e qytetarëve tanë si dhe tentim vrasja e zyrtarëve tanë policorë janë veprime të papranueshme dhe në këtë drejtim, janë duke punuar intensivisht hetimet dhe drejtësia padyshim do të ndodhë. Përdorimi i grupeve të tilla kriminale për destabilizim të vendit nga pala serbe nuk e rrezikon vetëm vendin tonë, dhe kjo bëhet edhe më serioze kur Serbia e cila përmes grupeve të tilla synon të arrijë qëllimet e veta merr mbështetje të plotë dhe tashmë publike nga Moska.

Përveç sulmeve ndaj qytetarëve, dëmeve materiale e tentim vrasjeve ndaj zyrtarëve policorë, ne jemi ballafaquar mbrëmë edhe me sulme kibernetike të cilat kanë tentuar të pengojnë funksionimin shtetëror. Në këtë drejtim, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme dhe sistemi është mbrojtur suksesshëm.

Në kronologjinë e trazirave me të cilat u ballafaquam dje, nuk mund të mos ngre shqetësimin e madh për plasimin e informacioneve të pakonfirmuara dhe të pavërteta. Lajmet të cilat janë publikuar mbrëmë kanë cënuar rëndë zhvillimin e operacioneve policore, jetën dhe sigurinë  e zyrtarëve policorë dhe në veçanti, informacioni mbi plagosjen e zyrtarit policor ka shkaktuar huti dhe shqetësim të arsyeshëm tek të gjithë familjarët e zyrtarëve policorë të cilët ishin në krye të detyrës në atë kohë. Në të gjitha thirrjet tona si Qeveri dhe Ministri e Punëve të Brendshme kemi ofruar bashkëpunim dhe informata në kohë reale”, u shpreh Sveçla.


Lajmi kryesor:

Tensionet/ Kosova pas kërkesës së SHBA shtyn zbatimin e vendimit për reciprocitetin! Lirohen 2 pikat kufitare në veri! KFOR: Garantojmë sigurinë


D.GJ/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vendosja e fashës 800 kWh do të sjellë kursim të energjisë?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Merr flakë një barake në fshatin Çukë, 57-vjeçari pëson djegie, në gjendje të rëndë në spital

Sarandë/ Merr flakë një barake në fshatin Çukë, 57-vjeçari pëson djegie, në gjendje të rëndë në spital