Një muaj kohë kanë në dispozicion të gjithë fermerët dhe blegtorët që të aplikojnë për të përfituar nga Skema Kombëtare. Brenda pak orësh rreth 5 mijë fermerë aplikuan për të përfituar nga skema e bujqësisë për këtë vit, me vlerë 5.2 miliardë lekë. Ministri Andis Salla sqaroi në një konferencë se aplikimet bëhen online ose në agropika

“Para se të vija këtu mora një shifër dhe deri tani ka 5 mijë fermerë që janë online duke aplikuar. Në një kohë shumë të shkurtër ka shumë interes”, tha Salla.

Salla tha se fermerët mund të aplikojnë për 9 financime direkte në blegtori, bletari, kontroll biologjik, ferma organike, sera apo peshkim, si dhe në 3 masat e investimit për fermerët e rinj, në ndërtim stanesh apo makineri. Ministri u bëri thirrje fermerëve të bashkohen për të përfituar sa më shumë.

“Kur fermeri prodhon dhe shet i vetëm, shpesh përballet me kosto më të larta, çmime më të ulëta. Ndërsa në bashkëpunimet e shoqërive bujqësore kemi akses dhe mundësi që potenciali të jetë më i madh, por edhe mbulimi ndaj Skemës Kombëtare, të cilën ne e kemi vënë në dispozicion, është 100% i mbulimit të masës që ne kemi vendosur”, tha ministri.

Ministri argumenton edhe rënien e eksporteve bujqësore me afro 5 mijë tonë në katërmujorin e parë, duke thënë se veç përmbytjeve ndikim po jep shtimi i konsumit të prodhimeve shqiptare brenda vendit.

“Fermerët janë të interesuar jo vetëm për ta çuar në eksport, por edhe ndaj tregut vendas, për shkak edhe të kompensimit 10% pasi biznesi vendas po kërkon prodhimin shqiptar. Ne jemi në një prodhim shumë të mirë këtë vit, dhe po i tejkalojmë shifrat e 2025”, tha Salla.            

Sa i takon dëmshpërblimit të fermerëve nga përmbytjet, zgjidhje duket se do të marrin me aktin normativ të buxhetit që pritet të ndodhë në muajin e ardhshëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:20
Salla: Vijojnë dëmshpërblimet për fermerët! Eksportet bujqësore po kalojnë vitin 2025, jemi në prodhim shumë të mirë

Dëmshpërblimet për fermerët e dëmtuar do të vijojnë, njoftoi ministri Andis Salla. Lidhur me eksportin e prodhimeve bujqëore, ai tha se ecën me ritmin e vitit 2025 e madje është duke u kaluar.

“Qeveria nuk është tërhequr, do të vazhdojmë me procedurat e dëmshpërblimeve të fermerëve. Në aspektin e eksporteve, kemi pasur mundësi përafrimi të të gjithë procesit. Prodhimi tani ka dalë në treg, ne po e kalojmë vitin e kaluar. Prodhimi është në sasinë më të madhe që kemi në territor, jemi duke eksportuar dhe kemi kapur të gjitha ato mundësi, shifra sepse janë rritur edhe faturimet. Jemi në prodhim shumë të mirë këtë vit. Do ta tregojmë në 6-mujorin e parë kur të vëmë në dispozicion të gjitha faturat e para mes Ministrisë dhe fermerëve”, tha Salla.

Edhe disa prej subjekteve që nuk kanë marrë dëmshpërblimet e Skemës së Investimeve, do të vijojë kompensimi.

“Ka pasur diskutim për 22 subjektet që janë referuar disa vonesa, nuk kanë dalë nga skema, janë pjesë e përfitimit të vitit 2025. Me udhëzimin e ri kemi vendosur të jenë edhe për 22 subjektet të jenë pjesë e përfitimit. Brenda pak ditësh, edhe procedurat e tyre janë të përfshira në buxhet”, tha Salla.