Hapet gara për ndërtimin e godinave të reja për administratën, Rama: S’ka më miliona euro qira në vit për privatin, pronat shtetërore për institucione

TIRANË- Një konkurs ndërkombëtar me 10 studio prestigjioze është hapur për të ndërtuar 4 godina të reja për administratën publike. 10 studiot prestigjioze i paraqitën sot jurisë ndërkombëtare projektidetë për 2 prej godinave, të cilat do t’i hapin rrugë një qasje të re për ndërtimin e zyrave dhe krijimin e hapësira të reja të shërbimeve bashkëkohore për administratën publike.

I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e tij tha se këto projekte i përgjigjen nevojave dhe vizionit të ‘Shqipërisë 2030’. Rama tha se institucionet publike paguajnë miliona euro qira në vit për të ushtruar aktivitetin e tyre, por sipas Ramës këto ambiente nuk i përgjigjen vizionit për Shqipërinë 2023.

“Janë 10 finalistë të ndarë në 2 grupe, 5 për çdo grup, që përballë jurisë ndërkombëtare do të prezantojnë projekt idetë e tyre lidhur me 4 zhvillime të rëndësishme, të cilat janë 4 zhvillime që i hapin rrugë një faze të re, një qasje të re dhe pa diskutim edhe një roli të ri të shtetit në raport me pronën publike.

Aktualisht sot për ta bërë të qartë për të gjithë ata që nuk janë të informuar në brendësi lidhur me këtë nisëm, institucionet publike paguajnë disa miliona euro në vit qera, për të ushtruar aktivitetin e tyre në mjedise që janë larg së qeni të denja për ambicien tonë të Shqipërisë 2030, janë larg së qenit të denja për atë çka meritojnë qytetarët të cilët shërbehen nga këto institucione, janë larg së qenit të denja për  kushtet në të cilat në fakt duhet të punojnë shërbëtorët e shtetit.

E përveçse janë miliona e miliona euro që shkojnë çdo vit për qera, janë një sërë institucionesh që vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në godinat të cilat nuk kanë asnjë lloj vlere të asnjë natyre. Jo vetëm që nuk kanë asnjë vlerë arkitektonike, por paraqesin edhe probleme te vazhdueshme mirëmbajtje si rezultat i të qenit godina të vjetra të trashëguara nga periudha komuniste dhe njëkohësisht të përdorura për qëllime të reja që nuk përshtaten fare me ato mjedise", tha Rama. 

Në këto 4 godina të reja që pritet të ndërtohen për administratën publike, Rama tha se do të akomodohen një sërë institucionesh, rreth 25, që janë sot në nevojë të madhe për të pasur një vend të denjë.

“Faktikisht sot arkitektet janë thirrur të në ofrojnë idetë dhe projektet e tyre për të na dhënë mundësinë të ndërtojmë një kompleks të madh qeveritar, i cili do të akomodojë një numër të konsiderueshëm institucionesh dhe nga ana tjetër edhe një tjetër godinë publike ku do të akomodohen të tjera institucione që janë sot në nevojë të madhe për të pasur një vend të denjë për të gjitha kërkesat e tyre”, tha Rama.

Rama tha se shteti s’do japë me prona te privati, por me këtë ide të re shteti do të vendosë në dispozicion pronat publike dhe investitorët ftohen për të ndërtimin e projekteve. Kështu, Rama thotë se shteti si pronar i truallit do të përfitojë një infrastrukturë të re për institucione publike që ende rrinë në mjedise me qira, si Biblioteka Kombëtare.

“Faktikisht ajo që do të ndodhë falë agjencisë në fjalë, pra Korporatës Shqiptare të Investimeve është që shteti nuk do të dorëzojë më prona ashtu siç i ka dorëzuar në të shkuarën tek privatët, por do të futet në një rol po aq aktiv si përfaqësues i pronës së vet përmes AIC për të nxjerrë nga shfrytëzimi i pronave publike, të mira publike dhe natyrisht edhe për të nxjerrë përfitime financiare për vetë shtetin që do të shërbejnë për investime të mëtejshme.

Shteti vendos në dispozicion pronat publike dhe më pas fton në konkurs investitorë vendas e të huaj për ndërtimin e projekteve, nga ku shteti do të përfitojë si pronar i truallit një infrastrukturë të re për institucione publike që ende rrinë në mjedise me qira apo ende nuk e kanë selinë e tyre të shekullit të ri, si për shembull Biblioteka Kombëtare”, tha Rama.

2 prej godinave pritet të ndërtohen në rrugën ‘Sulejman Delvina’ dhe tjetra pranë bulevardit Zhan Dark, por ende nuk dihen se cilat institucione do të akomodohen aty.

Ndërkohë Elira Kokona, Drejtoreshë e Përgjithshme e Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC) tha se tre prej projekteve janë  ndërtimi i Korpusit të Sigurisë, ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare dhe rijetëzimi i stadiumit “Selman Stërmasi” në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.

Në miratimin në më pak se 9 muaj të akteve ligjore dhe nënligjore, të 2 partneriteteve ndërkombëtare, të një strategjie në proces dhe 25 marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucionet publike, që janë përfitues direkt, sot jetësojmë dy projektet e para të investimit që do t’i hapin rrugën 3 projekteve investimi që janë ndërtimi i Korpusit të Sigurisë, ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare dhe rijetëzimi i stadiumit “Selman Stërmasi” në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, tha ajo.

Studiot pjesëmarrëse në konkurs
ANDREA CAPUTO (Itali) dhe SO-IL (USA)
COLDEFY (Francë)
EMBT Architects (Spanjë)
SNOHETTA (Norvegji)
ZAHA HADID Architects (UK)
ARCHI-TECTONICS (USA)
ARCHITECTURE STUDIO (Francë)
BAUKUH (Itali)
COOK RESEARCH (Angli)
MAD Office (SHBA)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:50
FOTO/ Konkursi për godinat e reja për administratën, projekti i propozuar nga SO-IL (USA) për tek ish godina e ATSH

Çelen konkurset për dy projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve. Studio arkitekturore ANDREA CAPUTO (Itali) dhe SO-IL (USA) propozon projektin për të ndërtuar tek zona kur dikur ka qenë godina e ATSH-së tek rruga e Elbasanit.

Ora 10:20
Konkursi ndërkombëtar për ndërtimin e godinave të reja për administratën, Veliaj: Çdo investim i ri rrit vlerën e pronës dhe prodhon ekonomi

 

Në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u zhvillua sot në kryeqytet një Konkurs Ndërkombëtar, ku 10 studio prestigjioze paraqitën përpara jurisë projekt-idetë për 4 zhvillime të reja, të cilat do t’i hapin rrugë një qasje të re për krijimin e zyrave dhe shërbimeve bashkëkohore për administratën publike.

Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se këto konkurse janë tashmë një traditë që në kohën kur Edi Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe që e ka kthyer Tiranën në laboratorin më të madh të arkitekturës, të estetikës, të së bukurës dhe shijes që prodhon ekonomi.

“Tirana është sot hapësira ku jeton 40% e popullsisë së Shqipërisë, një hapësirë që prodhon 50% të ekonomisë së vendit. Kjo do të thotë se çdo investim në Tiranë, tamam si ata rrathët koncentrikë, ka fuqinë që të shumohet në të  gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, tha Veliaj.

Ai renditi disa nga projektet që Bashkia e Tiranës ka bërë me urbanistikën dhe që kanë prodhuar ekonomi për vendin.

“Sot kemi stadiumin kombëtar, Pazarin e Ri, territore që kanë qenë territore të shkreta, por që kanë prodhuar ekonomi, përtej vetëm funksionit bazë të atij projekti. Ndërkohë, një fushatë e mbjelljes së pemëve dhe kujdesit ndaj mjedisit, që ka filluar që në vitet 2000 dhe ajo skuadër që drejtonte Bashkinë e Tiranës u shpërblye para pak javësh, kur Agjencia Evropiane e Mjedisit e cilësoi Tiranën një nga 10 kryeqytetet më të gjelbra. Kjo do të thotë se çdo investim tjetër duam ta shohim në këtë prizëm, se si është i gatshëm për të përballuar ndryshimet klimaterike të së ardhmes, se si e ul kontributin jo vetëm në energji, por edhe gjurmën e karbonit në qytetin tonë”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se çdo projekt i ri i rrit vlerën pronës dhe rrit cilësinë e gjithë zonës ku investohet, duke sjellë një realitet të ri për kryeqytetin.

“Qoftë edhe një shkollë e bërë për së mbari, një ndërtesë që ka firmën e një kompanie prestigjioze, ndikon në të gjithë ekosistemin e pronave dhe të imobiliareve. Ndaj, duam që të shohim se si në këto 4 vatra investimi do të prodhojë më shumë mirëqenie, edhe një rritje të vlerës imobiliare në të gjithë atë zonë. Jam i sigurt që në finale si çdo debat tjetër, si çdo diskutim që kemi pasur, gjithmonë pyetja është që këto ndërtesa tashmë ekzistojnë, pse po bëjmë disa gjëra të reja? Është një dilemë që ne e kishim në një ndërtesë shumë të bukur në Bilevardin “Zogu i I” nga arkitekti Maks Velo, e cila u dëmtua prej tërmetit. Mund të kemi shumë nostalgji për ndërtesa të vjetra edhe mund të kenë lidhur shumë fate njerëzish ato histori dhe ato ndërtesa dhe ato hapësira, megjithatë koha, ndonjëherë fatkeqësia si tërmeti, kërkon që të reflektosh mbi to dhe të sjellësh një realitet të ri. Pra këtu nuk bëhet fjalë për të harruar historinë ose për të mohuar kontributet, këtu bëhet fjalë për të prodhuar një realitet të ri në Tiranën tonë”, përfundoi kreu i Bashkisë.

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    DASH rithekson se SPAK është kyçi i luftës ndaj korrupsionit, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Von der Leyen zgjedh përbërjen e re të Komisionit Europian, sllovenia Marta Kos zgjidhet si komisionare të Zgjerimit

Von der Leyen zgjedh përbërjen e re të Komisionit Europian, sllovenia Marta Kos zgjidhet si komisionare të Zgjerimit